Romelu Lukaku nuk dëshiron të rikthehet në Chelsea, kështu që Interi është gati të zgjasë huazimin e tij deri në vitin 2024 dhe më pas ta bëjë blerjen e tij të përhershme.
Sulmuesi belg u kthye te Interi verën e kaluar pas një periudhe zhgënjyese njëvjeçare në “Stamford Bridge” ku ishte transferuar në verën e vitit 2021 si nënshkrimi më i shtrenjtë në historinë e klubit.
Megjithatë, ai nuk arriti të justifikonte çmimin e tij prej 115 milionë eurosh duke shënuar vetëm tetë gola në 26 ndeshje në Premier Ligës nën drejtimin e Thomas Tuchel.
Lukaku u kthye te Interi në një marrëveshje huazimi të verën e kaluar, që do të thotë se Interi nuk ka një opsion apo detyrim për të blerë kartonin e tij.
Megjithatë, sipas “Gazzetta dello Sport”, gjigantët e Serisë A dhe Chelsea kanë një marrëveshje për të zgjatur qëndrimin e Lukakut në “Giuseppe Meazza” deri në vitin 2024.
Interi do të paguante 10 milionë euro për një tjetër huazim për një sezon, duke mbuluar pagën e sulmuesit si dhe duke parë mundësinë e blerjes përfundimtare të tij.
Lukaku nuk dëshiron të kthehet te Chelsea dhe “Blutë” nuk po planifikojnë të ribashkohen me 29-vjeçarin, kështu që “Nerazzurrët” janë të sigurt se do të arrijnë një marrëveshje me gjigantët e Premier Ligës që reprezentuesi i Belgjikës të vazhdojë aventurën e tij në Itali.