Shumë shpejt pritet të ndryshojë pronësia e gjigantit anglez, Liverpool pasi që grupi aktual “Fenway Sports Group” ka nxjerrë në shitje klubin.
Sipas “The Athletic”, FSG tashmë ka përpiluar një prezantim për shitjen e klubit duke e shfaqur atë për palët e interesuara.
“Fenëay Sports Group” e ka në pronësi Liverpoolin që nga viti 2010 pasi e bleu klubin nga Tom Hicks dhe George Gillett.
“Ka pasur një sërë ndryshimesh viteve të fundit në klubet angleze në mënyrë të pashmangshme ne pyetemi rregullisht për pronësinë e Fenway Sports Group në Liverpool”, kanë thënë zyrtarët e FSG për “The Athletic”.
“FSG ka marrë shpesh oferta nga palë të treta që kërkojnë të bëhen aksionarë në Liverpool. FSG ka thënë më parë se në kushtet e duhura ne do të konsideronim aksionarë të rinj nëse do të ishte në interesin më të mirë të Liverpool-it si klub. FSG mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj suksesit të Liverpool-it, si brenda dhe jashtë fushës”, kanë thënë më tutje ata.
Nën pronësinë e FSG-së, Liverpooli është kthyer në elitën evropiane të futbollit. Nën urdhrat e trajnerit Jurgen Klopp, “Reds” fituan trofeun e shtatë në Ligën e Kampionëve së bashku një titull të Premier Ligës, një FA Cup, dy Kupat e Ligës, Kupën e Botës për klube, Superkupën e UEFA-s dhe Community Shield.
Përveç kësaj, ata shpenzuan 50 milionë funte për të zhvendosur terrenin stërvitor të Liverpool-it nga Melwood në Kirkby.