UBT News

​Lajmërohet Agim Ademi: Bashkë do ta vazhdojmë punën e madhe në FFK

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka reaguar pak orë pas lirimit nga policia me ç’rast u intervistua dhe u dërgua në mbajtje pas një incidenti të raportuar se ka ndodhur brenda ambienteve të federatës mes tij dhe Atran Govorit.

Pas lirimit, Ademi ka shkruar një status në Facebook përmes së cilit ka thënë se ajo që ndodhi ishte krejtsisht e panevojshme dhe se nga disa grupe të interesit po shfrytëzohet situata zgjedhore nëpër të cilën do të kalojë kjo federatë.

Më tutje, i pari i FFK-së ka thënë se ai do të vazhdojë punën për ngritjen e futbollit dhe avancimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.

“Dje për shkak të një debati verbal që pata me një koleg të FFK-së, i cili debat kishte qëllim krejt të mirë për të sqaruar një situatë nga marrëdhënia e punës në FFK, përfundoi pa shkas në Polici dhe ju dha hov nga disa media dhe grupe të interesit, duke e shfrytëzuar situatën zgjedhore që kemi në FFK, me ç’rast unë përfundova për disa orë në Polici. Pas deklaratave të të gjitha palëve të përfshira, u sqarua se e tëra ishte vetëm një keqkuptim, kështu që unë u lirova nga ndalimi dhe gjendem në mesin e familjarëve dhe kolegëve të FFK-së. Ju falënderoj edhe njëherë të gjithë juve bashkëpunëtorëve të mi dhe komunitetin e futbollit për interesimin dhe mbështetjen, njëherit ju garantoj se do të punoj së bashku me ju për ngritjen e futbollit dhe avancimin e Federatës së Futbollit të Kosovës. Ju siguroj se së bashku me stafin e FFK-së do të vazhdojmë punën e madhe që na pret në organizimin e një procesi zgjedhor ligjor dhe të rregullt për datën 06 prill 2022, si dhe në organizimin e ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës, kundër Burkina Fasos dhe Zvicrës këtë muaj”, thuhet në shkrimin e Ademit.

Exit mobile version