Kosova pritet që së shpejti të bëhet me shkollë të futbollit, nëse plotësohen kushtet paraprake për fillimin e këtij projekti.
Kryetari i Federatës së futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka bërë të ditur se federata që ai e drejton është duke planifikuar që ndërtimin e kësaj shkolle ta bëjë në fshatin Banullë të Komunës së Lipjanit.
Ademi së bashku me bashkëpuntorët e tij të hënën e vizituan vendin ku mund të ndërtohet kjo shkollë dhe nga atje u ka bërë thirrje asambleistëve të kësaj komune që të votojnë për dhëniën e këtij lokacioni në shfrytëzim të federatës për 99 vite në mënyrë që ndërtesa aktuale e një shkollë të vjetër aty të rinovohet dhe të shndërrohet në një objekt modern dhe të bëhët si shkolla më e madhe e futbollit në regjion.
Sipas Ademit, ky projekt parasheh vend për 500 nxënës për ta zhvilluar mësimin në këtë shkollë dhe për t’u akomoduar në konvikt. Kjo shkollë do të bëhej një qendër shumë e rëndësishme për këtë komunë dhe mjaft atraktive për të rinjtë.
Po ashtu, nga ky projekt do të përfitonin edhe banorët e këtij rrethi, ngase do të punësoheshin deri 80 punëtorë të profileve të ndryshme, pa llogaritur këtu stafin arsimor dhe atë menaxhues.
FFK edhe për këtë projekt investimin do ta bëjë nga programi ‘UEFA HatTrick’ dhe nga projektet strategjike për futbollin të FIFA-s.