Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë punimet e seancës së sotme plenare për të vazhduar të premten nga ora 11:00.
Kjo pasiqë Partia Demokratike e Kosovës paralajmëroi se nuk do të marrë pjesë në votimin e projektligjeve në rendin e ditës.
Ganimete Musliu, deputete e PDK-së, ka thënë se nuk ka kushte për vazhdimin e seancës plenare, e ndër to përmendi mungesën e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje në debat.
“Gjendja në sallë nuk krijon kushte për punë. Së pari e votuam Ligjin për ndihmë juridike falas, sepse i trajtuam nevojat e qytetarëve dhe GP i VV nuk mori pjesë në votim. Grupi Parlamentar i PDK-së nga ky koment edhe pse është këtu, nuk do të merr pjesë në votimet tjera, sepse është fyerje për deputetët e Kuvendit të Kosovës ku po debatohet për më shumë se 10 orë në këtë Kuvend dhe nuk e kemi prezent asnjë ministër dhe asnjë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, prandaj deklarohem publikisht se nuk do të marrim pjesë në votime”, ka thënë Musliu.
Paraprakisht, Kuvendi me vota 60 pro, dy kundër dhe asnjë abstenim ka miratuar Ligjin numër 08/035 për ndryshimin e ligjit për ndihmë juridike falas.