UBT News

​Kuvendi i Kosovës miraton në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore, Konjufca abstenon sërish

Edhe pse me kundërshtimin e opozitës, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ndërsa kryeparlamentari Glauk Konjufca ka abstenuar sërish.

Projektligji i ka marrë 58 vota për dhe tre abstenime.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se vetingu dhe Byroja Shtetërore duhet të jenë të koordinuara me njëra tjetrën.

Meqenëse po flasim për rregullim sektorial, vetingu dhe agjencia apo Byroja Shtetërore e hetimit, të jenë në një kornizë që të jenë të koordinuara me njëra tjetrën për ndryshe nëse shkojnë në dy komisione të ndryshme, në dy procedura të ndryshme ekziston përshtypja që mund të mos jenë të harmonizuar dhe të kemi probleme pastaj me zbatimin e tyre. Pra propozimi im është që derisa të ketë një konkluzion për nismën tuaj për koordinim lidhur me procesin e vetingut të mos votohet as ky projektligj, besoj që pajtimi ishte të kemi një konkluzion për nismën tuaj para se të shkojmë në pushime verore, që i bie në dy javët e ardhshme ne të kemi një konkluzion”, ka thënë Gashi.

Edhe shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se çështjet e rëndësishme duhet të hyjnë në një pako për reformën në drejtësi.

Mirë është hyjmë në një pako të reformës në drejtësi me disa çështje të rëndësishme, qoftë rikonstruktimin e prokurorisë, qoftë ndërtimin e një byroje të konfiskimit, qoftë në veting, dhe pak a shumë t’i shohim disa modele të cilat do ta fuqizojnë, mos të shkojmë ta sfidojmë njëri tjetrin një projektligj në Gjykatë Kushtetuese në një agjendë të ecim më tutje, të kundërshtojmë prandaj konsensusin në reformën në drejtësi e shoh jashtëzakonisht të rëndësishëm”, ka thënë ai.

Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se çështje të tilla të rëndësishme nuk mund të shtyhen me agjendë të një partie.

Nuk mund të bëjë as vetingun, as këto ligje një parti, për shkak se atëherë vjen partia tjetër dhe do ta rrëzojë këtë proces të vetingun. Dhe nëse ne u dekoduam dje të përcaktojmë saktësisht përbërjen, mandatin, ekskluzivisht nga komisioni i Venecias duhet të diskutohet, po ju them sot për mos me pas paqartësi për nesër, nëse do të shtyjmë këto ligje më një agjendë të një partie atëherë ju them këtu që nuk do të keni konsensus për ndryshime qe udhët të ndodhin në një proces që është edhe më i rëndësishëm që është procesi i vetingut, nuk munden kontestet penale me u vendosë përmes një procedure civile”, ka thënë Tahiri.

Por, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se vetingu nuk ka të bëjë me procesin tjetër është Byroja Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Nuk mbaj mend që ka pasur debat në Kuvend më shumë sesa për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Pra e kemi diskutuar edhe para opinionit të Venecias dhe pas opinionit të Venecias, për çka si qeveri e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë. Qëndrimi i qeverisë është, nisja e takimeve me grupet parlamentare për çështjen e konsensusit për çështjen e vetingut në sistemin e drejtësisë, dhe kjo nuk ka të bëjë asgjë me procesin tjetër”, ka thënë ajo.

Pas kësaj ka reaguar shefi i deputetëve të LDK-së i cili ka thënë se nuk është e arsyeshme të vazhdojnë konsultimet.

Nënkupton që qeveria nuk do të bashkëpunim për këto çështje dhe, faleminderit për ftesën dje për bashkëpunim por e konsideroj të paarsyeshme me na thirre më edhe në takime”, ka thënë Gashi.

Para hedhjes në votim, ka folur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, sipas së cilit vërejtjet e tyre janë për të mbrojtur rendin kushtetues.

Nëse kryeministri vendos ta hedh në votim në rregull të jetë kështu. Vazhdoni pa ne, vazhdoni pa konsultime. Prandaj do të ndjekim rrugën tonë institucionale ku duhet. Për të hequr çdo dyshim i përsëris fjalët e diskutimet e para, jam vullnetar unë dhe grupi parlamentar në verifikimin pasurisë, vërejtet janë për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për të bërë reformën njëmend. Nëse kryeministri vendos të shkojë pa konsultim siç e dha urdhrin tani teksa unë flisja këtu, atëherë vazhdoni rruga e mbarë ju qoftë”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Me votimin në parim të Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ka përfunduar seanca me pikat e mbetur nga seancat e kaluara.

Deputetët e shumicës kanë miratuar në lexim të dytë projekt-kodin e procedurës penale.

Kuvendi ka miratuar në lexim të dytë edhe projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, projektligjin për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe projektligjin për Shërbimin Sprovues të Kosovës.

Exit mobile version