Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), ku shprehu mbështetjen ndaj këtij institucioni sportiv dhe nënvizoi pritjet për organizimin e lojërave mesdhetare në Kosovë “Prishtina 2030”.
Ai tha se pret që rezultatet e sportistëve dhe sportisteve të mos ndalen, por vetëm të shtohen të arriturat.
“Unë jam shumë mirënjohës për punën sistematike që po e bëjnë, për kontributin që po e japin dhe besoj se tash e tutje do të kemi edhe më shumë suksese, nga bashkëpunimi ynë si qeveri dhe institucion shtetëror. Presim që si rezultatet e sportistëve dhe sportisteve tona, ashtu edhe pjesëmarrjes së Kosovës në arenën ndërkombëtar, si pjesëmarrëse dhe tash edhe si kandidate për të qenë nikoqir i lojërave mesdhetare këtu në Kosovë “Prishtina 2030”, nuk do të na ndalen por vetëm sa do të na shtohen të arriturat”, tha ai.
Ndërkaq, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, tha se vizita e kryeministrit Kurti është e rëndësishme, sidomos para vendosjes për organizimin e lojërave mesdhetare 2030.
“Kjo vizitë është shumë e rëndësishme, pikërisht para (kandidaturës) për lojërat mesdhetare në të cilat me 8 shtator shpresojmë që të jemi nikoqir i këtyre lojërave. Falënderove kryeministrin dhe zëvendësministren e Sportit për përkrahjen dhe besoj se shumë shpejtë të gjithë ne së bashku do të festojmë marrjen zyrtare të lojërave mesdhetare më 8 shtator, kur prezentë do të jemi edhe ne, kryeministri dhe shumica e anëtarëve të bordit të KOK-ut”, shtoi Krasniqi.
Më 8 shtator gjatë asamblesë gjenerale të ISMG-së, do të vendoset për Lojërat e 21-ta Mesdhetare dhe për Lojërat e katërta Mesdhetare në Plazh.
Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, mund të jetë mikpritëse e mijëra sportistëve që do të marrin pjesë në këtë garë prestigjioze.
Kosova është treguar mjaft e suksesshme në pjesëmarrjet e saj në Lojërat Mesdhetare, mbi të gjitha në sportin e xhudos, duke fituar medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta.