Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot në Pragë se pret që Kosova ta marrë së shpejti pyetësorin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në konferencën për media pas dorëzimit në presidencën çeke të Këshillit të Evropës në Pragë të aplikimit për anëtarësim të Kosovës në BE, Kurti tha se kjo është një ditë e jashtëzakonshme për demokracinë në Evropë.
Ai tha se letra që ka sjellë të enjten në Çeki mban ëndrrat dhe shpresat e qytetarëve të Kosovës për të arritur këtë ditë.
“Shpresojmë që sa më shpejtë ta marrim pyetësorin, ta plotësojmë atë dhe të anëtarësohemi në BE”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, të mërkurën është bërë hapi zyrtari Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian, me nënshkrimin e aplikimit për anëtarësim të Kosovës në BE.
Krerët e shtetit e kanë konsideruar këtë si moment historik që i hap rrugë fillimit të procesit të anëtarësimit dhe integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.