Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga ministri Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizitoi tre ekspozita të bienales ndërkombëtare të artit bashkëkohor, Autostrada Biennale.
Ata fillimisht vizituan hapësirën e edukimit dhe prodhimit të Autostradës Biennale në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren, ku u njoftuan mbi ekspozitën dhe programin e edukimit që kjo biennale po zhvillon.
Sipas një komunikate të Qeverisë, e ndodhur në hangarin e dikurshëm të KFOR-it gjerman, transformuar tashmë në një hapësirë inovacioni, ajo ka për qëllim fuqizimin e të rinjve të Kosovës përmes edukimit, trajnimeve dhe punëtorive në fushën e artit, teknologjisë dhe inovacionit.
Nga aty, kryeministri Kurti dhe ministri Çeku vazhduan për në Stacionin e Autobusëve në Prizren kur po shfaqen ekspozitat e katër artistëve të artit bashkëkohor.
Stacioni i Autobusëve këtë vit po mirëpret ekspozitat e Autostradës Biennale për të tretën herë radhazi. Në fund, ata vizituan ekspozitën e artistëve Sezgin Boynik dhe Tevfik Rada e cila po mbahet në Shtëpinë e Shani Efendiut.
“Se arti nuk është vetëm e bukura, por edhe mësimi dhe puna, po na e dëshmon edhe ky edicion i Autostrada Biennale”, u shpreh kryeministri Kurti. Ai i falënderoi organizatorët dhe kuratorën për prezantimin e tyre. Meqë arti dhe veprat e artit duhet të jenë të atilla që sa më shumë njerëz t’i shohin sa më shpesh, kryeministri uroi që gjithnjë e më shumë qytetarë të bëhen vizitorë të këtyre ekspozitave.
Autostrada Biennale është i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren dhe është themeluar në vitin 2014.
Mbrëmë është përmbyllur edhe edicioni jubilar i 20-të i festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër Dokufest. Për një javë rresht në këtë festival u shfaqën rreth 200 filma e dokumentarë nga e gjithë bota, ndërsa qyteti i Prizrenit u bë vendtakim i dhjetëra mijëra vizitorëve.
Kryeministri Kurti mori pjesë edhe në ceremoninë përmbyllëse të tij, me ç’rast ndau çmimin për filmin në garën kombëtare. Filmi “Mardhë” nga regjisorja Flaka Kokolli mori mirënjohje speciale, kurse filmi “Një fëmijë” nga regjisori Bekim Guri u zgjodh filmi më i mirë kombëtar.
Në fjalën e tij të shkurtër gjatë ndarjes së çmimeve ai ua uroi të pranishmëve dhe organizatorëve 20-vjetorin e DokuFest-it, ndërsa shtoi se ky festival, i cili u ngrit e edhe sot mbështetet në punën e palodhshme të vullnetarëve që ndihmojnë në realizimin e tij, është rritur shpejt dhe shumë si pak çka tjetër në Kosovën e pasluftës.