UBT News

​Kurti: Jemi të përkushtuar për avancimin e sistemit për menaxhimin e trafikut ajror

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrin e MMPHI, Hysen Durmishi, vizituan Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror. Kurti aty tha se do të bashkëpunojnë për të avancuar sistemin për menaxhimin e trafikut ajror.

I pari i ekzekutivit theksoi rëndësinë që ka menaxhimi i trafikut ajror, në mënyrë që Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror dhe kontrolli ajror, të arrijë në nivel të shteteve evropiane.

I pari i Qeverisë përmendi edhe të arriturat të cilat janë vlerësuar, si zgjatja e pistës por edhe niveli i sistmemit 3B, derisa theksoi se është njoftuar nga drejtori i agjencisë për përgatitjet teknike të cilat po bëhen, që në të ardhmen të merret kontrolli i hapësirës ajrore.

“Drejtori Samir Bllacaku më njoftoi për përgatitjet teknike që janë duke u bërë në mënyrë që në të ardhmen të merret kontrolli i hapësirës ajrore të asaj që është mbi 6 mijë e 260 metra, me këtë rast do të kishim edhe përfitime financiare si shtet që vlerësohet të jenë diku në mes 6 dhe 7 milionë euro në vit. Dy të arriturat që janë vlerësuar me këtë rast është zgjatja e pistës por gjithashtu edhe niveli 3B i sistemit të aterrimit, i cili është shumë i avancuar. E vizituam edhe departamentin meteorologjik dhe Kullën e vrojtimit dhe pamë se si shkon procesi i vëzhgimit dhe mbikëqyrjes po ashtu duhet përmendur se është bërë shkurtimi i udhëtimit me qenë se janë hapur dy korridore të reja në Republikën e Shqipërisë dhe në këtë mënyrë nga Vjena kur shkon ose vije në Prishtinë kemi një udhëtim 15 minuta më të shkurtër, meqenëse nuk kemi nevojë të kalojmë në hapësirën e Maqedonisë së Veriut. Në veçanti e falënderojmë NATO-n dhe KROR-in për të gjithë kontributin e tyre për ASHNA-n dhe jemi të bindur që bashkëpunimi i mëtutjeshëm do të na shpije në përmbushjen e standardeve më të larta të kritereve të Bashkimit Evropian”, tha Kurti.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se si ide në projektet e reja është lidhja edhe me sistemin detar.

“Dua ta ndërlidh vetëm që transporti ajror është mënyrë e arsyeshme e transportit në përgjithësi. Do të synojmë që arritjet e mëtejme të zhvillimit të shërbimeve të navigimit ajror që do të bëhen nga kjo agjenci të mundësojnë kapacitetet tona ajrore për shtetin, të rriten edhe në fushën e transportit të mallrave. Kjo lidhet me mënyra tjera të sistemit tokësor, atij hekurudhor dhe automobilistik, përtej projekteve të reja, ta lidhim edhe me atë detar, me detin Adriatik. Të gjitha këto, ndërlidhja e tyre do të krijojë mundësi në vendin tonë për shkak se zona në regjionin e Prishtinës do të jetë zonë e distribuimit të mallrave të cilat vijnë nga transportet detare dhe të jenë të gatshme për të gjithë regjionin. Kjo do të sjellë mundësi të zhvillimit ekonomik dhe për këtë arsye e kemi marrë seriozisht realizimin e këtyre projekteve dhe si ministri do ta bëjmë punën tonë, kemi mbështetjen e kryeministrit dhe të Qeverisë dhe kemi qëllimin e Agjencisë së Shërbimit të Navigimit Ajror për realizimin e këtyre projekteve”, tha Aliu.

E drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigimit Ajror, Samir Bllacaku tha se agjencia për herë të parë është vizituar nga një kryeministër. Madje shtoi se kanë përkrahjen e ekzekutivit për projektet.

Exit mobile version