Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu sot ka dalë me detaje rreth shtëpisë ku banon kryeministri Albin Kurti, shumën e qirasë mujore dhe arsyet e ndërrimit të vendbanimit.
Ai në një postim në Facebook ka bërë të ditur se Kurti paguan qira mujore prej 250 euro për shtëpinë në Taslixhe me 230 metra katrorë.
“Ai banon në shtëpinë e bashkatdhetarëve Blerim dhe Shega Zagragja që jetojnë në Drammen të Norvegjisë. Kryeministri i njeh ata që prej disa vitesh. Anëtarët e tjerë të familjes Zagragja i ka njoftuar më vonë, pasi që është bërë banor në Taslixhe.
Blerim dhe Shega Zagragja kanë dashur që kryeministrit Kurti t’ia mundësojnë të banojë falas në shtëpinë e tyre, mirëpo Kurti nuk ka pranuar. Janë marrë vesh që ai ta paguajë qiranë aq sa ka qenë duke e paguar më herët te banesa afër parkut të qytetit. Dy dhoma janë të papërdorshme, njëra është e bllokuar me gjësendet e pronarit e tjetra është dhomë e sigurisë. Shtëpia është e vjetër rreth 50-vjeç”.
“Kryeministri pat vendosur që të ndërrojë vendbanim pas udhëzimeve të këshilltarëve të sigurisë të cilët kanë vlerësuar që mbrojtja e afërt dhe policia e Kosovës kanë shumë vështirësi për përgatitjet dhe organizimin e sigurisë aty ku banonte kryeministri te parku i qytetit”, përfundon Kryeziu.