Derisa është paralajmëruar për të premten se do të betohet kryetari i ri i Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, në objektin e Komunës në veri të Mitrovicës, kryetarët e tri komunave tjera veriore të vendit, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, ende nuk e dinë ku dhe kur do të organizohen seancat për betimin e tyre.
Të kontaktuar përmes telefonit, ata kanë thënë se nuk e dinë datën e saktë kur do të betohen.
Kryetarët e rinj kanë thënë se janë në koordinim të vazhdueshëm me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe se po presin një përgjigje nga kjo Ministri rreth kësaj çështjeje.
Lidhur me kryetarët e zgjedhur në katër komunat veriore të vendit ka folur edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili tha se do të organizohet ceremoni e betimit në secilën komunë, duke mos precizuar data.
Sipas tij, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka dërguar informacione në Ministri se të premten do të organizohet seanca për betimin e kryetarit.
“Kuvendi i komunës së Mitrovicës së Veriut ka dërguar informacione në MAPL se të premten do të organizohet seanca për betimin e kryetarit dhe gjithçka do të jetë në proces të organizimit në mes Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut. Seanca do të mbahet në sallën e Kuvendit Komunal, aty ku e kanë vendin asamblistët dhe kryetari i komunës”, ka thënë Krasniqi.
Duke folur për betimin e kryetarëve të rinj në katër komunat veriore është deklaruar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila tha se ceremonia e betimit të kryetarëve të rinj shqiptarë nuk duhet të jetë arsye për tensione në atë pjesë.
“Nuk ka asnjë arsye që të ketë tensione në veri. Unë ftoj të gjithë qytetrarët të cilët jetojnë në këto komuna që të mos bien pre e propagandës. Këta kryetarë do të jenë aty për të gjithë qytetarët pavarësisht etnisë së tyre dhe do të punojnë me institucionet qendrore. I ftoj që most ë zgjedhin dhunën dhe tensionet si mjet. Ne si institucione jemi këtu për të gjithë qytetarët, si për shqiptarët ashtu edhe për serbët dhe të gjitha komunitetet tjera jo shumicë. Duhet të punojmë së bashku që qytetarët të mbrohen nga strukturat ilegale të cilat po shkaktojnë dhunë dhe frikë. Institucionet e Kosovës janë aty për ti mbrojtur qytetarët dhe jo për ta bërë të kundërtën”, theksoi Osmani.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit për kryetarë të katër komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zvecan dhe Zubin Potok, fitues dolën Erden Atiq (VV), Lulzim Hetemi (VV), Ilir Peci (PDK) dhe Izmir Zeqiri (PDK).
Ndryshe, për dallim nga herët e kaluara, e veçanta në këto zgjedhje ishte se ato u mbajtën për herë të parë pa pjesëmarrjen e partive serbe, përveç një kandidateje të pavarur, si dhe përveçse në disa shkolla, ato u organizuan në kontejnerë.
Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe i bojkotoi zgjedhjet, ndërsa më 5 nëntor të vitit 2022, kryetarët e komunave veriore nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje.
Ata, së bashku me asamblistët komunalë dhe zyrtarë të tjerë nga sektori i sigurisë e drejtësisë, e morën këtë vendim në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që i obligonte serbët t’i zëvendësonin targat e automjeteve të tyre të lëshuara nga Serbia, me ato të Republikës së Kosovës.
Dorëheqjet kolektive krijuan vakum institucional dhe bënë që mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të caktohej fillimisht për datën 18 dhjetor të po atij viti.
Procesi në këtë datë u anulua, pas rritjes së tensioneve në veri. Grupe të serbëve lokalë sulmuan më 6 dhjetor zyrtarët zgjedhorë në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, të cilët po përgatisnin mbajtjen e zgjedhjeve.
Tensionet vazhduan dhe kulmuan me disa incidente me armë zjarri dhe me vendosjen e barrikadave në rrugët që çonin drejt dy vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak.
Barrikadat u vendosën pas arrestimit të ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq, i akuzuar për sulm kundër zyrtarëve zgjedhorë. Ato u hoqën pas disa javësh, përkatësisht pasi Pantiqit iu ndryshua masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.
Kjo situatë e krijuar, bëri që presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të caktojë 23 prillin datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për katër komunat veriore të Kosovës.
Kosova dhe Serbia ndërkohë arritën marrëveshje për çështjen e targave. Kosova hoqi dorë nga ndëshkimet që parashihte vendimi për shoferët që kanë automjete me targa ilegale serbe, ndërsa Serbia u pajtua të mos lëshonte më targa me emërtime për qytetet e Kosovës, sikurse KM, PR, PZ dhe të ngjajshme.