UBT News

​Kryetari i Gjykatës Komerciale takoi përfaqësues të Misionit të FMN-së

Kryetari i Gjykatës Komerciale të Kosovës, Mahir Tutuli, gjatë një takimi sot me përfaqësues rajonal për Ballkanin Perëndimor – Departamenti Evropian të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ka njoftuar këta të fundit mbi efektet dhe pritjet pozitive që synohet të ketë kjo gjykatë në zgjidhjen e kontesteve ekonomike/biznesore, dhe atyre gjyqësore me investitorët e huaj.

Gjatë këtij takimi, kryetari Tutuli informoi të pranishmit se Gjykata nuk i ka plotësuar ende të gjitha pozitat e përcaktuara me organogramin e gjykatës, si pasojë e mungesës së buxhetit për këtë gjykatë.

Ndërsa, Ezgi Ozgul – Ozturk shprehu interesimin e Misionit Konsultues të FMN, lidhur me funksionimin e Gjykatës Komerciale, ngarkesën me lëndë, numrin e gjyqtarëve dhe stafit administrativ të gjykatës, statistikat e gjykatës sipas llojit dhe departamenteve përkatëse, pengesat dhe sfidat me të cilat është duke u ballafaquar Gjykata Komerciale, pritjet në zgjidhjen e kontesteve ekonomike, si dhe për ndikimin që mund të ketë Ligji i ri i Pagave në sistemin gjyqësor.

Gjatë këtij takimi po ashtu u diskutua për planet e gjykatës për përmirësimin e efikasitetit të gjykatës, numri e gjyqtarëve të angazhuar dhe ngarkesën me lëndë, progresin në krijimin dhe zgjerimin e Gjykatës Komerciale, si dhe raportet statistikore për periudhën prej funksionalizimit të Gjykatës Komerciale, thuhet në një komunikatë për media të Gjykatës Komerciale të Kosovës.

Exit mobile version