Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se janë rritur kërkesat për ujë të pijshëm dhe shpenzimi racional i ujit në këtë periudhë është i domosdoshëm.
Sipas KRU “Prishtina”, niveli i ujit në liqenet akumuluese Batllava e Badoci është i kënaqshëm. Liqeni i Batllavës (0,43 m) nën nivelin maksimal të kapërderdhjes, ndërsa liqeni i Badocit (2.55 m) nën nivelin e kapërderdhjes.
“Ne kemi edhe plane konkrete për menaxhimin e thatësirës dhe në varshmëri të niveleve parashikohen edhe hapat që duhet të merren për menaxhimin e situatave në akumulacione dhe burime nëntokësore në vitet me thatësira që vijnë si rezultat i ndryshimeve klimatike në tokë. Vendet, sidomos ato të botës në zhvillim dhe rajone të tjera që tashmë janë duke vuajtur nga mungesa e ujit, ka gjasa të mbajnë peshën e thatësirës dërrmuese ne dekadën që po hyjmë. Pra, theksojmë edhe njëherë se, është shumë me rëndësi që të gjithë së bashku ta menaxhojmë përdorimin e ujit të pijshëm dhe të raportojmë me kohë rrjedhjet e ujit dhe keqpërdorimet . Jemi duke hyrë në sezonin e verës dhe menjëherë ka filluar rritja e kërkesës për ujë të pijshëm në zonën e shërbimit edhe pse, furnizimi me ujë të pijshëm është stabil dhe 24 h pa ndërprerë”, thuhet në njoftim.
Shpenzimi racional i ujit të pijshëm, sipas KRU ”Prishtina”, në këtë periudhë është i domosdoshëm.
“Uji sot nuk duhet të shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar, me ç’rast mund t’i zvogëlojmë rezervat e ujit të pijshëm! Roli i ujit është thelbësor për qeniet e gjalla dhe planetin, ai na nevojitet për pije, shtëpi dhe kopshte, por me rëndësi është ta kuptojmë domethënien e përdorimit jo të drejtpërdrejt të ujit si për prodhim, furnizim dhe zhvillim. Çfarë mund të bëjë secili prej nesh, për të ndaluar keqpërdorimin e ujit: Mos lejoni të rrjedhë ujë kot nga rubineti juaj, mos përdorni ujin e pijshëm për të larë veturat,m os përdorni ujin e pijshëm për ndërtime të shumta në qytet, mos pastroni trotuaret me ujin e pijshëm, mos harroni t’i mbyllni çezmat tuaja, pasi lani dhëmbët e fytyrën, mos ujisni lulet, kopshtet dhe arat, paguani rregullisht ujin që konsumoni, mos lejoni ndërhyrjet pa leje në rrjetin e ujësjellësit. Të gjithë jemi përdorues të ujit, prandaj ne jemi edhe përgjegjës për ta shfrytëzuar atë në mënyrë të drejtë”, thuhet në njoftim.