UBT News

​Krerët shtetërorë urojnë pavarësinë e Kosovës, përkujtojnë të rënët për liri

Festimet për përvjetorin e 14-të të pavarësisë së Kosovës nisen me ceremoninë e ngritjes së flamurit në hapësirën mes Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë në kryeqytet. Pas kësaj ceremonie presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti uruan të gjithë qytetarët për 14-vjetorin e pavarësisë, ndërsa përkujtuan edhe të gjithë të rënët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në ceremoninë e ngritjes së flamurit shtetëror mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari.

Duke e quajtur pavarësinë e Kosovës si arritja më kulminante të popullit shqiptar, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përkujtoi të gjithë ata që kontribuuan në lirin dhe pavarësinë e Kosovës.

Osmani u shpreh se liria e Kosovës do të jetë e plotë kur do të vihet drejtësi për të gjitha viktimat e luftës dhe kur të kthehet edhe qytetari i fundit i zhdukur.

Osmani kërkoi unitet për të tejkaluar sfidat, ndërsa theksoi se 17 Shkurti i vitit 2008 njëherë e përgjithmonë është përcaktuar fati i Kosovës si shteti i pavarur dhe sovran.

“Duke filluar nga vizionari dhe arkitekti i shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova i cili diti ta qartësojë vullnetin e qytetarëve para botës dhe të krijojë miqësi të cilat edhe sot i gëzojmë dhe duke vazhduar me mbi 3 mijë dëshmorë të cilët flijuan jetën e tyre në mënyrë që sot të jetojmë të lirë të udhëhequr nga komandanti legjendar, Adem Jashari dhe familja Jashari. Natyrisht që sakrifica për shtetin tonë ka qenë jashtëzakonisht e madhe mbi 13 mijë civilë prej të cilëve 1 mijë e 133 e më shumë fëmijë rreth 20 mijë të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës , mbi 130 mijë shtëpi të shkatërruara shumë monumente kulturore e mbi 1mijë e 600 të zhdukur janë plagë akoma e hapur e Republikës sonë dhe liria jonë do të jetë e plotë atë ditë kur do të ketë drejtësi për të gjitha viktimat dhe atë ditë kur deri edhe qytetari ynë i fundit do të kthehet në Republikën tonë te shteti i vet, te familjet e tyre. Në këtë ditë natyrisht festojmë edhe të arriturat e Republikës së Kosovës sepse shteti ynë është natyrisht punë e përfunduar dhe më 17 shkurt 2008 është përcaktuar njëherë e përgjithmonë fati ynë si shtet i pavarur dhe sovran dhe në këto sfida duhet të qëndrojmë të bashkuar sepse historia jonë ka dëshmuar çdo herë se vetëm atëherë kur jemi të unifikuar dhe të bashkuar rreth qëllimit për ta bërë Kosovën shtet të suksesshëm shtet që i del zot qytetarëve të vetë, shtet me të cilin mburren që të gjithë të rinj dhe të vjetër atëherë vërtet mund të kemi sukses”, deklaroi presidentja Osmani.

Kurse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca derisa uroi qytetarët për ditëlindjen e 14-të të pavarësisë së Kosovës u shpreh se shteti i Kosovës do të qëndrojë lartë dhe i paepur përgjithmonë.

“Edhe vetë fakti që këtë ditë po e fillojmë me ngritjen e flamurit të shtetit tonë është një simbolik që tregon se shteti ynë do të qëndrojë lartë dhe i paepur përgjithmonë, përgjatë të gjithë do e shënojmë këtë ditë të rëndësishme të shtetit tonë me aktivitet të shumta ashtu siç e meriton kjo ditë e rëndësishme. Prandaj, shfrytëzoj rastin që të gjithë qytetarëve të Kosovës t’ju uroj Ditën e Pavarësisë”, tha ai.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti krahas urimit për qytetarët e Kosovës për 14-vjetorin e pavarësisë ka përkujtuar edhe të gjithë ata që luftuan për lirin dhe pavarësinë e vendit. Ai u shpreh se ata të cilët punuan dhe luftuan kanë lënë gjurmë të pashlyera për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës.

“Teksa urojmë dhe festojmë gëzohemi dhe e urojmë njëri-tjetrin nuk kemi se si të mos kujtojmë dhe përkujtojmë ata të cilët punuan dhe luftuan për lirin e popullit dhe pavarësinë e vendi. Andaj nga kryeqyteti i Republikës këtu në oborrin e përbashkët të Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë ku bëmë nderime dhe ngritëm flamurin shtetëror do të vazhdojmë për kryeqendrën e kryengritjes së popullit tonë në Prekaz, pra te kompleksi “Adem Jashari” dhe më pastaj tek varri i presidentit, Ibrahim Rugova dhe veprimtarit, Adem Demaçi. Të gjithë ata të cilët punuan dhe luftuan kanë lënë gjurmë të pashlyera për të sotmen dhe të ardhmen tonë andaj ne u jemi falënderues të gjithëve mirënjohës përjetë”, tha Kurti.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 deputet nga gjithsej 120, Kuvendi i Kosovës shpalli njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata e pavarësisë së Kosovës dhe shpallja e pavarësisë ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa president atë kohë ishte, Fatmir Sejdiu.

Exit mobile version