UBT News

​Kosova nënshkruan marrëveshje 9 milionë euro për ujërat

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike i Qeverisë Zvicerane kanë nënshkruar sot marrëveshje për projektin “Qëndrueshmëria Klimatike në Sektorin e Ujërave në Kosovë”, në vlerë 9 milionë euro.

Siç thuhet në njoftimin e MFPT-së, ky projekt adreson forcimin e kapaciteteve të Kompanive Rajonale të Ujit (KRU) në ofrimin e shërbimeve të ujit dhe ujërave të zeza, e në mënyrë specifike reduktimin e ujit të pa faturuar, efikasitetin e energjisë dhe përdorimin e energjisë së ripërtëritshme.

Tutje, projekti i ujërave adreson rritjen e performancës operacionale të KRU-ve, e cila pastaj kontribuon në ofrimin e shërbimeve më të mira e me cilësi të lartë për qytetarët, si dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë financiare për KRU-të.

Me këtë rast ministri Hekuran Murati falënderoi ambasadorin e ngarkuar në detyrë Christoph Fuchs për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Qeverinë zvicerane në projekte zhvillimore, e në veçanti në sektorin e ujërave.

Në anën e tij, diplomati zviceran u shpreh mirënjohës për bashkëpunimin e deritanishëm me Qeverinë e Kosovës në sektorin e ujërave, ku edhe theksoi se projekti në fjalë ka ardhur si rezultat i projekteve të mëparshme e mësimeve të nxjerra në sektorin e ujit.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar në investime strategjike në fusha me interes të veçantë për vendin, në linjë me Strategjinë Shtetërore të Ujërave.

Exit mobile version