Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim një delegacion nga Komisioni i Partneritetit për Demokraci (House Democracy Partnership-HDP) të Kongresit të ShBA-së, me të cilët shkëmbeu pikëpamje rreth mënyrave konkrete të bashkëpunimit ndërmjet HDP-së dhe Kuvendit, me fokus mbështetjen për ngritjen e Institutit Parlamentar, si dhe zhvillimin e shërbimeve të bibliotekës dhe arkivit të legjislativit.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se Konjufca ka falënderuar ShBA-në për mbështetjen e pakursyer që vazhdon t’i japë Republikës së Kosovës, duke theksuar se miqësia e dëshmuar, aleanca strategjike dhe partneriteti shembullor ndërmjet popujve dhe shteteve mbeten të palëkundura.
“Kryetari Konjufca dhe delegacioni i HDP-së u pajtuan për zgjerimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit, si dhe shkëmbimin e përvojave në dobi të ngritjes së efikasitetit dhe funksionalitetit të përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komuniaktë.
Delegacioni i Komisionit të Partneritetit për Demokraci ishte në përbërje të MikeBishop, ish-kongresmen nga Partia Republikane, Derek Luyten, drejtori Ekzekutiv i HDP-së, Kimberly Ferguson, specialistja për Menaxhimin e Sistemit Informativ Legjislativ në Bibliotekën e Kongresit, Sarah Garding, analistja për Çështje Evropiane në Shërbimin e Kërkimit të Kongresit (CRS) dhe Kristen Sample, drejtoreshë e Përgjithshme e Qeverisjes në Zyrën Qendrore të NDI në Washington DC.