Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vlerësuar në mbledhjen e sotme që të qëndrojnë në fuqi të njëjtat masa për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu në konferencën e Komitetit Teknik të Ekspertëve.
“Kërkohet nga qytetarët të vazhdojnë të kenë një sjellje të kontrolluar, të vijojnë të mbeten të detyrueshme maskat, higjiena dhe distanca”, deklaroi ajo.
Lidhur me numrin e infektimeve, Manastirliu tha se “kemi një tendencë të uljes së qëndrueshme të rasteve të infektimeve. Prej datës 1 mars vihet re një trend i uljes së qëndrueshme, por vlerësohet që kemi ende një numër të spitalizimeve dhe fataliteve si rrjedhojë e infektimeve të filluara në rritje prej muajit janar”.
Manastirliu konfirmoi se pas analizave të disa mostrave kanë rezultuar se janë të infektuara me variantin e ri dhe mbajnë një shenjë të mutacionit britanik. I njëjti mutacion është varianti britanik, që është në qarkullim në 70 vende të botës sipas OBSH.
“Dyshimet e arsyeshme që patën ekspertët e ISHP, që në momentin që filloi një rritje e infektimeve dhe transmetueshmërisë në vend është e konfirmuar nga detektimi në laborator që Shqipëria ka në qarkullim edhe variantin e ri britanik të COVID-19”, tha Manastirliu.
Ndërkohë, nuk është njoftuar për masa të reja dhe se të njëjtat që kanë qenë deri më tani mbesin në fuqi.
Masat që janë ende në fuqi:
– Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania.
– Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery).
– Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme vijojnë me skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë.
– Universitetet vijojnë online.
– Pezullim të fluturimeve me Britaninë e Madhe.