UBT News

​Komiteti Paralimpik i Kosovës anëtarësohet në atë Paralimpik Ndërkombëtar, Emini thirrje qeverisë për investim në infrastrukturë

Që nga 16 korriku i këtij viti, Komiteti Paralimpik i Kosovës është pranuar me të drejta të plota në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar.

Ky po vlerësohet të jetë një lajm shumë i mirë për të gjithë sportistët me aftësi të kufizuara në Kosovë, pasi ata tashmë do të kenë të drejtë të marrin pjesë në garat ndërkombëtar.

Kryetarja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, ka rrëfyer rrugën e vështirë nëpër të cilën është dashur të kalohet për të arritur deri te ky objektiv.

Një rrugë e gjatë ka qenë deri te pranimi i Komitetit Paralimpik të Kosovës në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar. Siç e dini, ne kemi zhvilluar takime të ndryshme dhe kemi zhvilluar aktivitete e gara të ndryshme për sportistët tanë, mirëpo në arenën ndërkombëtare kemi qenë të kufizuar për arsye që nuk kemi qenë pjesë e lëvizjes paralimpike botërore. Në vizitën që kishim në Gjermani, në Bon, në takimin me Presidentit e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar dhe stafin e tij sepse ka qenë një kontakt i vazhdueshëm edhe me departamentin ligjor të Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar në përmbushjen e kritereve që të jemi pjesë e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, ka qenë edhe themelimi i klubeve dhe federatave paralimpike dhe kemi dërguar një aplikacion ku të gjitha kriteret që janë kërkuar 100 përqind kanë qenë të përmbushura dhe kjo ka rezultuar në pranimin tonë në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar”, tha Emini.

Emini thotë se pas këtij anëtarësimit, tashmë dyert do të jenë të hapura për të gjithë sportistët në arenën ndërkombëtare dhe ata do ta kenë mundësinë që ta përfaqësojnë vendin nëpër vende të ndryshme të botës.

Tashmë nuk ka askush që të na ndal sepse jemi pjesë e lëvizjes paralimpike botërore dhe sportistët tanë do të debutojnë në Lojërat Paralimpike në vitin 2024 në Paris si dhe flamuri ynë do të jetë bashkë me flamujt tjerë ku unë besoj fuqishëm që një sportistë apo sportiste, sepse tani ka filluar edhe misioni tjetër për përgatitjen e sportistëve tanë që të kthehemi në Kosovë me medalje sikur që i kemi edhe sportistët tanë nga Komiteti Olimpik dhe federatat, sidomos shembullin më të mirë e kemi nga Federata e Xhudos që vetëm suksese i ka sjellë Kosovës dhe e kanë promovuar Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme”, theksoi Emini.

E para e këtij komiteti ka shtuar se nga tani e tutje është emergjente që të investohet në përmirësimin dhe krijimin e infrastrukturës së nevojshme që këta sportistë të kenë mundësinë t’i zhvillojnë aktivitete e tyre.

Në takimet që kam zhvilluar edhe me institucionet tona përgjegjëse kam kërkuar dhe do të vazhdoj të kërkoj deri në momentin e realizimit të infrastrukturës sportive. Sepse mos të harrojmë që të gjitha këto përgatitje, të gjitha këto tashmë nuk kanë edhe ku të shkojnë. Kjo është një qasje që duhet të jetë më ndryshe, por unë dua të besoj që me këtë përkrahje që kemi marr nga Qeveria e Kosovës dhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të vazhdojë me këtë ritëm edhe në infrastrukturë sportive”, tha fund Emini.

Në fund, Emini thotë se në institucionin që ajo e drejton bëjnë pjesë të gjitha minoritetet, si dhe ka respektim të plotë të barazisë gjinore, si në komitet, ashtu edhe në federatat sportive.

Më e rëndësishmja është që klubet dhe federatat paralimpike i kemi të gjitha komunitetet, serb, rom, ashkalinjë, egjiptian dhe turk dhe çka është tjetra, që dua ta ndaj me KosovaPress-in është që tek ne barazia gjinore është 50-50, edhe në bordin e Komitetit Paralimpik, por edhe në udhëheqje të klubeve dhe federatave paralimpike sepse sporti është për të gjithë, sporti bashkon dhe kjo është mesazhi që unë do të kisha dëshirë që përmes juve që të gjithë ata që kanë potencial, që dëshirojnë, tashmë e kanë një adrës dhe tashmë nuk ka barriera”, shtoi me tutja e para e Komitetit Paralimpik të Kosovës.

Ajo u shpreh e bindur se nga energjia që sheh te sportistët e kësaj kategorie, sukseset nuk do të mungojnë dhe ato pritet të fillojnë që nga Lojërat Paralimpike në vitin 2024.

Exit mobile version