UBT News

​Kombëtarja e Kosovës për femra niset drejt Elbasanit

Kombëtarja e Kosovës në kategorinë e femrave sot është nisur drejt qytetit të Elbasanit, për të zhvilluar përgatitjet e fundit para ndeshjes së parë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Australi-Zelandë e Re 2023”.

Pjesë e ekspeditës do të jetë edhe kryetarja e Komisionit për futbollin e femrave dhe anëtarja e kreut ekzekutiv të FFK-së Vjollca Krasniqi.

Trajnerja e Kosovës për femra, Afërdita Fazlija do të ketë në dispozicion 24 futbolliste, ku 11 nga to janë pjesë e klubeve evropiane, kurse pjesa e mbetur janë lojtare nga kampionati vendor.

Sot, me fillim nga ora 19:00 Kosova do të zhvillojë seancën e fundit përgatitore në “Elbasan Arena”, para ndeshjes së nesërme kundër Shqipërisë.

“Dardanet” pozicionohen në Grupin F, së bashku me kombëtaret e tjera si ajo e Shqipërisë, Norvegjisë, Polonisë, Belgjikës dhe Armenisë.

Pas ndeshjes me Shqipërinë, vashat kosovare do të kenë përballjen tjetër kundër Norvegjisë si vendase në Prishtinë, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Exit mobile version