Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) i është dorëzuar edhe zyrtarisht organizimi i Platformës Evropiane të Sportit 2024 (ESP 2024), e paraparë të mbahet në tetor të vitit të ardhshëm në Prishtinë.
Dorëzimi për presidentin e KOK-ut, Ismet Krasniqi, është bërë në Lisbon të Portugalisë, nga Carlos Paula Cardoso, president i Federatës Konfederatës Portugeze të Sportit.
Në fjalimin e tij, presidenti Krasniqi, duke falënderuar drejtuesit e ENGSO-s për besimin, theksoi se ekipi i KOK-ut është i përkushtuar dhe i nderuar për të ofruar një përvojë të paharrueshme për të gjithë anëtarët e ENGSO-s, në mënyrë që ESP 2024 të mbahet mend për organizimin shembull dhe mikpritjen e ngrohtë.
Pikërisht në kryeqytetin portugez, për tri ditë është mbajtur Platforma Evropiane e Sportit 2023, në të cilët u zhvilluan punëtori të ndryshme, që kishin të bënin me: barazinë në sport, qeverisjen e mirë dhe qëndrueshmërinë në sport.
Presidenti Krasniqi, që shoqërohej edhe nga zyrtarja për marrëdhënie ndërkombëtare, Rejhan Halili, njëherit anëtare e komisioneve: Barazia përmes sportit dhe komisionit këshillues të Bashkimit Evropian në ENGSO, dhe Marigona Mehmeti, e përfshirë në projektin “Sporti si vlerë”, pati mundësinë të prezantojë projektet e fituara të KOK-ut në Erasmus Plus, sfidat dhe sukseset e KOK-ut, duke përmendur edhe marrjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.