Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në bashkëpunim me federatat e sportit si ajo e basketbollit, atletikës, tenisit, karatesë, si dhe Komitetin Paraolimpik të Kosovës organizuan sot aktivitete të ndryshme sportive, në shënimin e mbylljes së kampanjës “Jepi paqes një shans”. Ndërkohë që ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me “PLAY International”.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, tregoi mesazhin që ka përçuar kjo kampanjë me ngritjen e letrave të bardha, veçanërisht në këtë kohë lufte që po zhvillohet mes agresorit rus dhe Ukrainës.
“Ngritja e letrës së bardhë simbolizon dërgimin e mesazhit të paqes në botë. Ky mesazh si kurrë më parë meritonte të përçohej pikërisht tani, kur bota ka kthyer vëmendjen te lufta në Ukrainë, e cila na kujton më së miri ndjenjën që ne kishim 23 vite më parë”, tha Krasniqi.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha që sportistët janë ata të cilët e dëshmojnë që mund të jesh kundërshtarë i rreptë në arenën sportive dhe të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin.
“Sportistët janë ata që dëshmojnë se është e mundshme me qenë kundërshtarë i rreptë në arenën sportive, por njëkohësisht për të jetuar në miqësi, në paqe dhe duke e respektuar njëri-tjetrin. Kjo është zotësia e sportit, për ta ndryshuar botën, për të krijuar zhvillim të qëndrueshëm e paqe, si dhe solidaritet për të gjithë, e madje do të thosha që ky është misioni i shenjtë i sporteve, me i bashku njerëzit në gara paqësore, që ndonëse i fusin në konkurrencë nga njëra anë, e bashkojnë dhe vëllazërojnë krejt njerëzimin në gjithë diversitetin e vet”, tha Rama.
Në anën tjetër, presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës dhe njëkohësisht anëtarë i Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (NOC), Morinari Watanabe, u shpreh tejet i kënaqur me pjesëmarrjen e sotme në këtë ceremoni, ndërsa tha që duhet të inkurajohet respekti për njëri-tjetrin në mënyrë që të shmanget çdo konflikt i mundshëm.
“Kombet e Bashkuara përcaktojnë pesë përfitime që mund të arrihen përmes sportit. Përfitimi i parë është zhvillimi dhe forcimi i aftësive të nevojshme të fëmijëve për jetë. E dyta është zhvillimi jo vetëm fizik por edhe mendor. E treta është promovimi i barazisë gjinore. E katërta është rritja e përfshirjes sociale të gjithë njerëzve, pavarësisht nga aftësitë e tyre të kufizuara. E pesta, që mendoj se është ndër më të rëndësishmet, është respektimi i njëri-tjetrit dhe nxitja e solidaritetit. Unë besoj se nëse do të ishim në gjendje të inkurajonim respektin për njëri-tjetrin në botë, sot, kjo mund të shmangte përshkallëzimin që çon në konflikt”, tha Watanabe.
Ambasadorja e Francës në Kosovës, Marie-Christine Butel u shpreh tejet e lumtur që është pjesëmarrëse në aktivitetin e sotëm, ku tha që sporti është gjuhë e fuqishme, qëllimi i së cilës është thyerja e barrierave dhe ofrimi i një jetese plot diversitet.
“Jam e lumtur që sot në ditën ndërkombëtare të sportit për zhvillim dhe paqe, marrë pjesë në këtë ngjarje të organizuar nga partnerët tanë, ngjarje kjo që ka për qëllim promovimin e vlerave që ka sporti. Sporti është gjuhë e fuqishme, qëllimi i së cilës është thyerja e barrierave dhe ofrimi i një jetese plot diversitet, nga pikëpamja e kulturave të ndryshme, e komuniteteve, mbi vlerat e përbashkëta, dinjitetin njerëzor, respektin, barazinë, e vëllazërinë. Për këtë është e rëndësishme që t’ua mësojmë gjeneratave të reja, vlerat që ka sporti”, tha Butel.
Në fund, presidenti i KOK-ut Ismet Krasniqi së bashku me shefen e organizatës “PLAY International”, Sara Kalachova, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, për të organizuar së bashku aktivitete të ndryshme sportive, ku Kalachova tha që të gjithë së bashku mund të tregojnë se janë pjesë e një komuniteti mbarë botëror që është i vendosur të bëj veprime për të transformuar botën përmes sportit.
Në ceremoninë e sotme, prezent ishin fytyra të shumta publike, ndër ta presidenti i KOK-ut Ismet Krasniqi, presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës dhe njëkohësisht anëtarë i Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë, Morinari Ëatanabe, i pari i Prishtinës, Përparim Rama, ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel dhe shefja e organizatës “PLAY International”, Sara Kalachova.
Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe me sloganin “Jepi paqes një shans” filloi aktivitetet e saj më datën 6 prill deri më sot, respektivisht më 13 prill, dhe kishte për synim promovimin e paqes dhe të sportit.