Klubi slloven ND Gorica ka shkarkuar ish-trajnerin e Kombëtares së Shqipërisë Edi Rejën pas vetëm një muaji e gjysëm në krye të saj.
Në njoftimin e lëshuar nga klubi, thuhet se ky vendim erdhi me qëllimin për të gjetur rrugën e përmirësimit të rezultateve.
“Në kërkim të zgjidhjes më të mirë për të ngritur kurbën e rezultateve, klubi dhe Reja ndërprenë bashkëpunimin reciprokisht”, thuhet në njoftim.
Reja e ka udhëhequr Goricën në 7 ndeshje dhe ka shënuar 2 fitore, një barazim dhe 4 humbje gjatë kësaj kohe.
Por, vetëm pak orë më vonë, ND Gorica, klubi ka njoftuar për ardhjen e trajnerit të ri dhe ai është Agron Šalja, trajner me origjinë shqiptare.
“ND Gorica njofton publikun e gjerë se gjeti shpejt një zëvendësues të Edoard Rejës në postin e trajnerit. Tashmë rolin do ta marr Agron Šalja”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ai është një ish-futbollist 50-vjeçar i Slavisë, Domžal, Triglav në Kranj dhe Interblock. Pas përfundimit të karrierës së tij si lojtar, pjesën më të madhe të kohës e kaloi në stolin e kombëtares së të rinjve të Sllovenisë, në sezonin 2020/21 në 20 ndeshje drejtoi skuadrën e Celjes.
“Jam i lumtur dhe mirënjohës që kam marrë një ftesë nga klubi. Pavarësisht situatës në renditje, ky është një klub që tashmë ka bërë shumë për futbollin slloven. Ka potencial të madh. Shpresoj dhe besoj se do të luajmë edhe në këtë rang garash sezonin e ardhshëm”, ka thënë Salja.