UBT News

​Klubi i Prodhuesve: Qeveria e re të mbështesë sektorin e prodhimit, barrierë edhe korrupsioni

Komuniteti i biznesit kërkon që qeveria e re të formohet sa më shpejtë, pasi që vendi po vazhdon të përballet me vështirësi të shumta ekonomike për shkak të pandemisë.

Drejtues të Klubit të Prodhuesve të Kosovës presin nga qeveria e re të mbështesë sektorin e prodhimit në vazhdimësi më anë të subvencionimit të eksporteve dhe të adresohen barrierat institucionale me të cilat ballafaqohen bizneset.

Sekretari gjeneral në Klubin e Prodhuesve të Kosovës, Vllaznim Osmani thotë se bizneset vazhdojnë të përballen me burokraci të ndryshme, siç thekson ai me korrupsion, për lëshimin e lejeve dhe licencave.

“Ne shpresojmë që qeveria të formohet shpejtë dhe të vazhdojnë investimet kapitale në mënyrë që të qarkullojë paraja sepse është mjaft me rëndësi tani më në kohën e pandemisë. Në aspektin e barrierave të të bërit biznes, vazhdojnë të qëndrojnë të njëjtat të cilat kanë qenë deri më tani. Ajo që ne na brengos është pjesa e barrierave institucionale, të cilat presin të rregullohen. Kemi probleme me burokracitë e panevojshme dhe pengesat e panevojshme si për lëshimin e lejeve për industri të ndryshme, për veprimtari të ndryshme apo edhe për licenca të ndryshme që janë të nevojshme për sektor të ndryshëm. Megjithatë, edhe vazhdimi i tyre bëhet mjaft problematik dhe pengues. Një gjë e tillë e pengon biznesin, e ngadalëson dhe është një çështje që neve na brengos shumë”, theksoi ai.

Edhe shkalla e lartë e korrupsionit në vend mbetet shqetësuese për Osmanin, i cili thotë se kjo dukuri ndodhë në sektorin e prokurimit që po pamundëson të fitojnë tender prodhuesit vendorë.

“Pjesë tjetër e barrierave është edhe korrupsioni, që është mjaft problematike dhe nuk po ndryshon. Kjo ka efekt negativ edhe në të bërit biznes, e sidomos ka efekt negativ edhe në interesimin e kompanive që të investojnë, qofshin investitor vendor apo të huaj. Mos të harrojë të përmendi pjesën e prokurimit publik, është problematike dhe shqetësuese qysh prodhuesit vendorë nuk arrijnë të fitojnë tenderë ende, edhe pse pjesa e ndryshimit të ligjit jep një përparësi prodhuesve dhe kompanive shërbyese”, thotë ai.

Ai po ashtu thekson se qeveria e re duhet të ketë program konkret për mbështetjen e eksportit dhe prodhimit, që sipas tij, ndikon në rritjen e punësimit.

“Një çështje tjetër që ne presim, është të ketë një program konkret se si do të përkrahet eksporti. Eksporti është shumë i rëndësishëm për neve si sektor i prodhimit, edhe sa më shumë që të rritet eksporti rriten dhe vendet e punës, por edhe të mbrohen vendet e aktuale të punës. Ne kemi nevojë që sektori i prodhimit të përkrahet në vazhdimësi në forma të ndryshme, si përmes politikave të ndryshme, subvencioneve apo përmes mekanizmave përkrahës. Subvencionimi i eksportit është i nevojshëm sikur që bëjnë vendet e tjera, ne presim diçka të tillë”, thekson ai.

Klubi i Prodhuesve bën thirrje që sidomos institucionet publike të konsumojnë më shumë prodhime vendore, si dhe të shfrytëzojnë shërbimet e kompanive vendore.

“Kemi kompani prodhuese të produkteve mjaft cilësore, të cilat mund të konsumohen prej institucioneve publike, qoftë spitalet, burgjet, policia dhe qeveria në veçanti, mirëpo kemi edhe shumë kompani që ofrojnë shërbime që mund të shfrytëzohen prej institucioneve publike”, thotë ai.

Ndër të tjera, sipas Osmanit, tregut të punës i nevojiten edhe punëtorë të kualifikuar ose me aftësi të nevojshme për punë.

Exit mobile version