Kompania kosovare për distribuim dhe furnizim me energji elektrike, KEDS siguron konsumatorët se ka bërë të gjitha përgatitjet për furnizim stabil me energji elektrike gjatë festave të fundvitit.
Megjithatë zyrtarë të kësaj kompanie bëjnë thirrje të gjithë konsumatorëve që të mos e shfrytëzojnë energjinë elektrike për ngrohje, pasi që në disa zona ka ngarkesë enorme.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka thënë për KosovaPres se kjo kompani është përgatitur për furnizim stabil me energji elektrike për festën e Vitit të Ri.
“KEDS-i ka bërë përgatitjen e rrjetit dhe sigurisht që së bashku me KESCO, është e përgatitur që ketë furnizim stabil me energji elektrike gjatë festave të fundvitit, ndërsa qytetarët duhet t’i përmbahen thirrjeve tona për kursim, sidomos të ngrohjes me energji elektrike dhe ta evitojnë këtë aty ku ka mundësi në mënyrë që të na e lehtësojnë edhe neve barrën pasi që bëhet fjalë për furnizim me energji elektrike dhe jo për furnizim me ngrohje”, theksoi ai.
Ndërsa, sikur shumë kompani në vend, edhe KEDS-i ka pësuar rënie të të hyrave financiare për vitin 2020 si pasojë e COVID-19. Rënia e të hyrave në KEDS llogaritet të jenë rreth 20 milionë euro, ndërsa të hyrat vjetore llogaritet të jenë 250 milionë euro.
Zëdhënësi Buzhala thekson se rënia e të hyrave në pandemi është rreth 7 përqind, ose një rënie në përqindje për aq sa është tkurrur ekonomia e Kosovës.
“Pandemia llogaritet që do ta tkurrë ekonominë e Kosovës rreth 7 përqind, sigurisht që për aq edhe ka ndikuar edhe në të hyrat tona. Kështu që ka pas ndikim pasi që tkurrje e ekonomisë është tkurrje e të gjitha aktiviteteve. Për këtë ka ndikuar situata pandemike, ishte situatë e rëndë, mirëpo me kalimin e muajve gjithçka është stabilizuar dhe sot jemi në rrugë të mbarë dhe më të lehtësuar sesa në muajt e parë të pandemisë. Pra, gjithçka po ecën sipas dinamikës së paraparë”, thekson Buzhala.
Ai ka thënë se asnjë projekt nuk ka mbetur pa u realizuar, ani pse sipas tij punimet kishin filluar në shkurt.
“Asnjë projekt nuk ka mbetur i parealizuar. Nuk kemi mundur t’i përfundojmë disa projekte sidomos në Prishtinë, mirëpo nuk bëhet fjalë për mungesë të të hyrave apo realizim të të hyrave pasi që ne i kemi të aprovuara projektet e investimeve kapitale edhe në ZRRE. Ato projekte janë në realizim e sipër, është e vërtetë se ka ndikuar pandemia. Ne patëm filluar një mega projekt në komunën e Prishtinë në vlerë diku 17 milionë euro që parasheh futjen e të gjitha kabllove të mesëm nën tokë për të evituar të gjitha mbi ngarkesat që ekzistojnë sot në disa lagje të kryeqytetit. Hyrje alternative për secilin konsumator në kryeqytet dhe t’i largojmë diku dy mijë shtylla elektrike të cilat ekzistojnë aktualisht përmes futjes së kabllove nën tokë”, tha ai.
Sa i përket furnizimit me energjie elektrike, Buzhala ka theksuar se energji elektrike ka të mjaftueshme, por ka një rritje të kërkesës për shkak siç tha ai, të ngrohjes me rrymë nga shumë konsumatorë, e që po shkakton ngarkesë enorme në disa vende të Kosovës.
“Energji elektrike ka të mjaftueshme nga prodhuesit vendorë dhe pjesa e importit të cilin ne e kemi siguruar është duke e mbuluar kërkesën. Kemi një kërkesë në rritje të madhe. Këtë vit një pjesë e konsiderueshme e konsumatorëve kanë filluar të ngrohen me energji elektrike, duke e braktisur sidomos peletin që është e çuditshme. Kështu që kjo në disa zona po krijon mbingarkesë enorme. Prandaj, rrjeti elektrik nuk është i dizajnuar që të kryejë funksionon edhe të furnizimit me energji elektrike dhe të ngrohjes. Kështu ky rrjet është dizajnuar për furnizim me energji elektrike”, vijoi Buzhala.
Ndërsa, lidhur me planet dhe investimet për vitin 2021, Buzhala ka thekuar se fokusi kryesor për vitin e ardhshëm do të bartet në Dukagjin për investime në komunat e Istogut, Pejës dhe të Gjakovës.
Kështu sipas tij, linjat nëntokësore të cilat janë vendosur në Prishtinë, të njëjtat projekte do të kryhen edhe në këto komuna të Dukagjinit.
Kurse, KEDS-i pritet që deri në shkurt të bëjë kërkesë për maksimumin e të hyrave të lejuara në ZRRE për të vendosur pastaj ky institucion në prill për tarifat e reja.