KEDS përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ditën e diele, kur edhe mbahen zgjedhjet lokale, do të ketë furnizim stabil me energji elektrike dhe se do të angazhojë 1 mijë punëtorë në të gjitha qendrat e votimit në të gjithë territorin e Kosovës, që nga koha kur hapen vendvotimet e deri në përfundim të procesit.
“Ekipet e tona do të jenë në dispozicion të plotë për intervenime ndaj çdo të papriture në rrjetin elektrik. Nëse gjithçka shkon sipas planifikimeve tona, edhe në këto zgjedhje do të ketë furnizim stabil me energji elektrike, meqë kemi bërë të gjitha përgatitjet duke siguruar energjinë elektrike të nevojshme për të mbuluar kërkesat. Si masë shtesë, kemi instaluar bateritë emergjente në të gjitha qendrat e votimit, që mund të përdoren në rast nevoje. Pos kësaj, do të kemi në dispozicion edhe gjeneratorët mobilë që do të dërgohen në secilën qendër votimi dhe në rast të ndonjë të papriture do të vihen në përdorim në secilën qendër votuese”, thuhet në komunikatë.
Qendra Dispeçerike e KEDS-it do të jetë në gatishmëri të plotë në ditën kur do të mbahen zgjedhjet, nga ku do të monitorohet rrjeti në kohë reale përmes Kosovanet. Kjo qendër do të punojë me kapacitete të shtuara derisa investimet e bëra ndër vite nga KEDS në digjitalizimin e rrjetit, do të mundësojnë operimin nga distanca përmes sistemit SCADA.
Me kapacitete të shtuara do të punojë edhe Qendra e Thirrjes, që pranon në kohë reale secilën telefonatë apo informatë nga konsumatorët dhe qytetarët që ka të bëjë me energjinë elektrike.
Lidhur me këtë, KEDS inkurajon qytetarët që t’i drejtohen kësaj qendre nëse shohin se diçka nuk është në rregull me rrjetin elektrik apo furnizimin, pra të lajmërojnë menjëherë kompaninë duke thirrur në numrin pa pagesë: 0800 791 00.