UBT News

​Kastrati: Fakti që Kurti e ka bërë prioritet numër një dialogun tregon se nuk e ka hallin e njerëzve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati tha se kryeministri Albin Kurti nuk e ka hallin e njerëzve që po përballen me pandeminë COVID-19 derisa e ka bërë dialogun prioritet numër një.

Ai në debatin parlamentar që po mbahet për gjendjen me pandeminë COVID-19 në Kosovë, tha se qeveria aktuale është e paaftë për të menaxhuar kriza siç është kjo me COVID-19.

“Njerëzit për të janë njerëz kur i duhen për vota, në momentin kur ia japin votat nëse njerëzit kanë nevojë për të ai i len të vdesin, siç i ka lënë me vdekë dje, pardje e që dy javë ditë marrja e Zotit t’u u sill me gota të verës e me alkool nëpër Fier e nëpër Laç e nëpër Durrës. Fakti që ai nuk ka qenë këtu dje, sot e ka bërë prioritet numër një dialogun, tregon që nuk e ka hallin e njerëzve”, tha ai.

Kastrati tha se në krye të emergjencave nuk është kryeministri, pasi sipas tij, ishte në krye të tavolinave ku pihej verë e alkool në Fier, Laç e Durrës.

“Në krye të emergjencave nuk e kemi kryeministrin, në krye të emergjencave duhet të jetë kryeministri dhe kryeministri ishte në krye të tavolinave ku pihej verë dhe alkool nëpër Fier, nëpër Laç, nëpër Durrës për fushatë të Republikës së Shqipërisë. Tani çështja nuk është pse ishte në Shqipëri, sepse u përmend edhe dje, po pse është në Shqipëri, është në Shqipëri sepse zgjedh të njëjtën strategji që e ka zgjedhur edhe në Kosovë që 15 vite me shkaktua kaos politik, sepse është i ndërtuar përmes kaosit politik, sepse është i ndërtuar përmes koncepteve të linçimeve, sepse është i ndërtuar përmes sharjeve, mitralozave verbale dhe gjuhës toksike që e ka mbjellur mes nesh në shoqëri. Por në Shqipëri nuk i doli ky kalkulim dhe ky formulim”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës po mban vazhdimin e debatit rreth menaxhimit të pandemisë COVID-19 dhe rreth vaksinave.

Exit mobile version