Kampioni i Evropës, Italia dhe fituesi i Kupës së Amerikës, Argjentina mund të përballen në një miqësore në stadiumin “Diego Armando Maradona” në Napoli.
Sipas gazetarit të “New York Times”, Tariq Panja, planet janë në një fazë të avancuar për të organizuar atë që në të vërtetë është një Kupë Ndërkontinentale për kombet.
Italia fitoi Kampionatin Evropian Euro 2020 duke e mundur Anglinë në penallti në stadiumin “Wembley” të dielën në mbrëmje.
Vetëm disa orë para kësaj ndeshje, Argjentina e mposhti Brazilin në stadiumin legjendar “Maracanà” të Rio de Janeiros falë një goli të Angel Di Maria.
Ky do të ishte një mundësi magjepsëse për të parë Kampionët e Evropës dhe të Amerikës së Jugut ballë për ballë njëri -tjetrit.
Hera e fundit që Italia luajti me Argjentinën në Napoli ishte gjysmëfinala e Kupës së botës 1990, me Maradonan që ishte kapiten i “Seleccios” në stadiumin “San Paolo”.