Pas suksesit në nivel klubi me Chelsean, ku u shpall kampion i sezonit 2020/21 të Ligës së Kampionëve, mesfushori Jorginho tani ka synim suksesin me Italinë në Euro 2020.
Mesfushori i Chelseat dhe i Kombëtares së Italisë do të ketë mundësinë që t’i bashkohet grupit elitar të lojtarëve që kanë fituar Ligën e Kampionëve dhe Kampionatin Evropian në të njëjtin sezon.
Jorginho në një intervistë për “Rai” tregoi rëndësinë e madhe që ka Kampionati Evropian për të dhe për të gjithë tifozët italianë.
“Çdo lojtarë do të sjellë energji dhe entuziazëm të mjaftueshëm në Evropian. Do të jetë kompeticioni i parë i rëndësishëm me kombëtaren, dhe do të jap maksimumin tim. Italia dhe populli i saj kanë kaluar në shumë situata jo të mira këtë vit. Sporti sjell shumë gjëra pozitive dhe emocione të mëdha. Do të ishte gjë e mrekullueshme të bëjmë diçka që do të sillte lumturi tek ta. Roberto Mancini ishte tejet i rëndësishëm, veçanërisht pasi tregoi besim të madh në mua. Aventura jonë së bashku me ‘Azzurrin’ ishte shumë e mirë, e meritojmë të jemi këtu. Sidoqoftë duhet të mbajmë kokën ulur sepse ka edhe shumë gjëra për t’u arritur”, shtoi 29-vjeçari.
Italia do ta hap Kampionatin Evropian 2020 kundër kombëtares së Turqisë si mysafire, më datën 11 qershor, kurse para kësaj përballje do të luajë edhe miqësore kundër kombëtares së Çekisë.