Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka shqyrtuar propozimin për nismën legjislative lidhur me Projektligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.
Kryetarja e komisionit, Duda Balje tha se javën e ardhshme do të organizojnë një tryezë për gjitha palët që janë të interesuar për të dhënë rekomandimet për këtë projektligj.
“Kam një propozim që javën e ardhshme me bërë një tryezë të rrumbullakët me krejt palët që janë të interesuara dhe ne kemi pranuar si ndihmues për këtë ligj”, tha ajo.
Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci tha se ky projektligj duhet ta ketë Konventën e Stambollit si referencë.
“Natyrisht, duhet ta kemi Konventën e Stambollit si referencë, përveç ligjeve tjera që ndërlidhen me projektligjin Mbrojtje nga Dhuna në Familje”, tha ajo.
Anëtarja e komisionit nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi tha se projektligji ka mangësi dhe se shumë gjëra duhet të përfshihen në të.
“Kam lexuar projektligjin me shumë vëmendje dhe mendoj që ka mangësi dhe duhet shumë gjëra të shtohen në të”, tha ajo.