Marcelo Brozovic dhe Nicolo Barella janë shokë të ngushtë te Interi dhe kur mesfushori kroat gjeti mundësinë për të shënuar golin e parë këtë edicion në Ligën e Kampionëve, italiani e bëri punën e tij.
Një aksion mirë i ndërtuar nga Interi në ndeshjen e së mërkurës ndaj Sheriff Tiraspolit bëri që të përfundohej me gol të shënuar nga Marcelo Brozovic, por një vëmendje të madhe në këtë rast e mori veprimi i Nocilo Barellas.
Në momentin e goditjes së kroatit, Barella ishte para tij dhe rrjedhimisht topi do ta godiste atë, por reprezentuesi italian u hodh në tokë në stilin e një notari për të hapur rrugën që topi të shkonte drejt portës dhe që në fakt rezultoi veprim i suksesshëm sepse Brozovic shënoi për 1-0.
Dyshja e lartpërmendur njihet për miqësinë e ngushtë mes tyre. Ata postojnë shumë video së bashku në rrjetet sociale, ndërsa luajtën një rol kyç në fitimin e titullit nga Interi sezonin e kaluar nën drejtimin e Antonio Contes.