UBT News

​Inzaghi: Milani skuadër e fuqishme, por ne merituam më shumë se një pikë

Trajneri i Interit Simone Inzaghi këmbëngul se Interi meritonte shumë më tepër se një pikë në derbi kundër Milanit, veçanërisht pas dështimit për ta kthyer në gol penalltinë e dytë të ekzekutuar nga Lautaro Martinez.

Të dyja skuadrat patën shanset për ta fituar ndeshjen, por në fund përballja përfundoi me rezultat 1-1.

“Gota është gjysmë e mbushur, sepse patëm shumë raste dhe humbëm një penallti, kështu që sipas meje meritonim shumë më tepër”, tha Inzaghi për “DAZN”.

“Ne ishim përballë një ekipi të madh që me meritë është në krye të tabelës, ne jemi prapa tyre për sa i përket progresit, por ka kohë për t’u rikthyer në rrugën e duhur dhe paraqitjet si kjo do të na japin besim”, deklaroi ai.

Interi nuk ka fituar asnjë nga përplasjet kokë më kokë me klubet e tjera të mëdha deri më tani këtë sezon.

“Në gjashtë ndeshjet e fundit, ne barazuam me Juventusin dhe Milanin, kur ndoshta e merituam të fitonim. Milani dhe Napoli po mbajnë një ritëm të jashtëzakonshëm, por ka një rrugë të gjatë për të bërë dhe ne do të jemi aty. Ne donim t’u jepnim tifozëve tanë një fitore dhe mendoj se bëmë mjaftueshëm për ta merituar atë. Tempoja e lojës ishte shumë e lartë dhe të dyja skuadrat ndoshta mund të kishin bërë shumë më mirë në nivel teknik, por ishte intensive”, theksoi më tutje Inzaghi.

Calhanoglu u kthye në fytyrën kryesore të derbit kur shënoi nga penalltia ndaj ish-skuadrës së tij dhe i fishkëllye nga tifozët.

“Gjuajtësit tanë të penalltive janë Lautaro Martinez dhe Calhanoglu, ndërsa Ivan Perisic mund t’i ekzekutojë gjithashtu. Hakan kërkoi të merrte të parin, Lautaro mori të dytin. U takon atyre për të vendosur, ne e dimë se si funksionojnë ato momente. Calhanoglu pati një lojë të shkëlqyer, ai gjithashtu bëri shumë mirë kundër Udineses, nuk është e lehtë të lëmë dikë jashtë, pasi kam shumë lojtarë të mëdhenj në dispozicion”, tha në fund Inzaghi.

Exit mobile version