UBT News

​Inzaghi: Kam katër sulmuesit në top formë për ndeshjen me Juventusin

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi pret një sfidë aspak të lehtë nesër mbrëma kundër Juventusit në finalen e Superkupës së Italisë duke e cilësuar “Zonjën e Vjetër” si një skuadër shumë të fortë dhe që ka luajtur në shumë ndeshje finale.

Ai u ka kërkuar lojtarëve të tij që të bëhen gati për një paraqitje agresive dhe shumë këmbëngulëse ndaj skuadrës së Allegrit.

“Ne do të kemi nevojë për një paraqitje agresive dhe të vendosur. Jemi të vetëdijshëm se do të ketë momente ku Juve do të na krijojë telashe”, tha Inzaghi në konferencën për shtyp para ndeshjes.

“Në gusht, ata dukeshin favorit për Scudetton, me Interin dhe klubet e tjera në garë, por ajo që ndodh në fushë ka rëndësi. Tani jemi në krye të tabelës, por gara do të jetë e hapur deri në fund”.

“Juventusi ka një ekip konkurrues, Bonucci dhe Chiellini do të luajnë dhe dua t’i uroj fat Federico Chiesa-s. Unë nuk e njoh djaloshin personalisht, por kam luajtur me babanë e tij te Lacio. Federico është një trashëgimi për futbollin italian”, deklaroi ai.

Inzaghi më pas bëri të ditur se i ka në dispozicion të gjithë sulmuesit dhe se do të luajë ndaj “Bianconerëve” me dy prej tyre.

“Ne kemi një seancë stërvitore sot, luajtëm të dielën mbrëma dhe të gjithë ndihen mirë, përfshirë Edin Dzeko dhe Joaquin Correa. Të katër sulmuesit janë në formë, dy do të startojnë dhe dy do të shkojnë në pankinë. Të kesh shumë opsione nuk ka qenë kurrë problem. Është një finale dhe nuk ka favoritë në këto ndeshje. Juventusi është i pamposhtur në tetë ndeshjet e fundit dhe ata bënë diçka të jashtëzakonshme të dielën. Ata janë mësuar të luajnë në finale, kanë lojtarë me përvojë, por ne jemi në një moment të mirë”, tha në fund trajneri i kampionëve të Italisë.

Exit mobile version