UBT News

​Interi vendos afat kohor për transferimin e Correas

Ardhja e Edin Dzekos duket se nuk e plotëson hapësirën e lënë bosh nga largimi i Romelu Lukakut nga Interi.

“Neroazzurrët” janë duke kërkuar edhe një tjetër sulmues dhe vëmendja e tyre është përqendruar te sulmuesi i Lazios, Joaquim Correa.

Negociata ndërmjet dy klubeve u konfirmuan të dielën kur drejtori sportiv i Lazios Igli Tare pranoi se janë në bisedime me Interin dhe se dëshira e lojtari është që të transferohet në “Giuseppe Meazza”.

Për më tepër, rreth këtij operacioni ka folur edhe presidenti i Lazio, Claudio Lotitto i cili ka deklaruar se Interi duhet të ofrojë paratë e nevojshme për kartonin e sulmuesit argjentinas.

Lazio e vlerëson Correan me 35 milionë euro, ndërsa Interi siç raportohet nga mediat italiane, i ka ofruar 25 milionë euro deri më tani.

Sipas “Sky Sport”, kampioni aktual i Serie A i ka bërë të ditur klubit romak se pret që marrëveshja të mbyllet brenda 48 orëve të ardhshme ose në të kundërtën do të tërhiqen nga kjo tentativë.

Exit mobile version