UBT News

​Inspektorati i Tregut inspekton pikat e shitjes së karburanteve

Inspektorati i Tregut në kuadër të MINT-it ka inspektuar të mërkurën disa pika të shitjes së karburanteve në tregun e Kosovës.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njofton se në kuadër të aktiviteteve te përditshme në mbrojtje të konsumatorëve, Inspektorati i Tregut po bën kontrolle të pikave shitëse të karburanteve të naftës, për t’u vërtetuar se qytetarët nuk po mashtrohen në sasinë e karburanteve që paguajnë.

“Inspektorati i Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me zyrtarët e Agjencisë të Metrologjisë së Kosovës, kanë vazhduar verifikimin e sasisë nëpër pikat e shitjes së derivateve të naftës, me qëllim të parandalimit të çfarëdo mashtrimi që mund të bëhet me sasinë e deklaruar”, thuhet në njoftim.

Siç njofton MINT, përmes etalonëve të kalibruar, nga inxhinierët e metrologjisë, bëhen matjet e duhura me anë të të cilave vërtetohet nëse litri i deklaruar ka sasinë e saktë.

“Në rastet kur ka devijime, Inspektorati i Tregut ndërmerr masat e duhura ndëshkuese ndaj subjekteve që kanë mashtruar konsumatorët”, thuhet në komunikatën e MINT-it.

Sipas MINT-it, Inspektorati i Tregut, do të vijojë të mbikëqyrë tregun me intensitet të shtuar dhe të trajtojë secilën nga ankesat e konsumatorëve, për çfarë edhe i inkurajon ata që të paraqesin parregullsitë që hasin.

Exit mobile version