Shefi i organit qeverisës botëror të futbollit FIFA ka bërë një lutje të martën për një armëpushim në luftën në Ukrainë për kohën sa zgjatë Kampionati Botëror, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që të përdorin turneun në fjalë si një arsye pozitive për të punuar drejtë një zgjidhjeje përfundimtare..
Duke folur gjatë një dreke me krerët e ekonomive kryesore të G20-shes në ishullin indonezian të Balit, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino tha se Kupa e Botës, e cila fillon në Katar të dielën, ofron një platformë unike për paqen.
“Lutja ime për të gjithë ju, të mendoni për një armëpushim të përkohshëm për një muaj sa zgjatë Kupa e Botës, ose të paktën zbatimin e disa korridoreve humanitare ose çdo gjë që mund të çojë në rifillimin e dialogut si hap i parë drejt paqes”, tha Infantino.
“Ju jeni liderët botërorë, keni aftësinë të ndikoni në rrjedhën e historisë. Futbolli dhe Kupa e Botës po ju ofrojnë juve dhe botës një platformë unike uniteti dhe paqeje në të gjithë botën”, ka shtuar ai.
Kupa e Botës do të zhvillohet nga 20 nëntori deri më 18 dhjetor në Katar, i cili është vendi i parë i Lindjes së Mesme që pret një ngjarje të madhe të futbollit.
Rusia arriti në çerekfinalet e Kupës së Botës në vitin 2018, por është përjashtuar nga ky turne për shkak të pushtimit të Ukrainës. Ukraina iu afrua kualifikimit për në Katar, por humbi nga Uellsi në play-off në qershor.
Infantino vuri në dukje se Rusia priti edicionin e 2018-ës dhe Ukraina po bën ofertë për të mbajtur atë të vitit 2030, ndërsa deri në 5.5 miliardë njerëz pritet të ndjekin ngjarjen e këtij viti, gjë që mund të japë një mesazh shprese.
“Ndoshta Kupa e Botës aktuale, duke filluar pas pesë ditësh mund të jetë ai shkas pozitiv” shtoi ai.
Në Katar do të garojnë 32 skuadra për titullin e më të mirit në botë.