Stadiumi i klubit futbollistik “2 Korriku” nga sot do të ketë një pamje tjetër. Në inaugurimin e këtij stadiumi ishin të pranishëm kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe ministrja në detyrë e Kulturës dhe Sportit, Vlora Dumoshi.
Me këtë rast, Hoti deklaroi se dalëngadalë po kompletohet infrastruktura sportive në nivel vendi dhe njëkohësisht paralajmëroi se këtë vit do të realizohen edhe dy projekte të rëndësishme si zgjerimi i stadiumit “Fadil Vokrri”, si dhe fushat e tenisit në kompleksin në Taukbahçe.
“Më vjen mirë që ngadalë po e rrumbullakësojmë infrastrukturën sportive në nivel vendi me plot fusha të ndryshme sportive, salla gjithandej nëpër Kosovë që kanë qenë me vite të tëra duke u ndërtuar, tani po përfundojnë për t’iu bërë të mundur të rinjve dhe të rejave që të zhvillojnë talentet e tyre. Sivjet kemi edhe dy projekte të rëndësishme për Prishtinën në veçanti, që është zgjerimi i stadiumit ‘Fadil Vokrri’ dhe fushat e tenisit në kompleksin në Taukbahçe, që besoj që ndihmojnë jashtëzakonisht shumë edhe për të zhvilluar sportin edhe për të rritur pjesëmarrjen në këto aktivitet. Tani përpara e kemi edhe planin tonë që të rregullojmë edhe mënyrën se si menaxhohet kjo infrastrukturë, terrenet sportive, sallat e ndryshme në mënyrë që këto të jenë të qëndrueshme dhe të jenë gjithmonë në dispozicion të klubeve sportive dhe të talentëve të rinj”, deklaroi ai.
Ndërsa Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi tha se klubi i futbollit “2 Korriku” është një klub shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe Prishtinën, pasi që nga aty kanë dalë ekipe të suksesshme dhe se këto investime janë për të përgatitur gjenerata të reja.
“Në sot jemi në një klub i cili është shumë i rëndësishëm sidomos për Kosovën, por ne veçanti për Prishtinën. Diku 63 vite klubi që ekziston. Këtu po përgatiten gjenerata të reja prej njerëzve të cilët e kanë marrë përgjegjësi Baholli me shumë profesorë të cilët janë ekspertë për të punuar me grup-mosha duke filluar prej moshës gjashtë vjeçare dhe lartë. Ne sot filluam punimet për ndërtimin e fushës ndihmëse edhe barin sintetik i cili do të bëhet. Vet investimi i kësaj fushe të cilin e ka bërë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë arritur që ekipet e tyre, pesë ekipe të jenë kampion”, deklaroi ajo.
Dumoshi gjithashtu theksoi se do të vazhdojnë me investime edhe në kompletimin dhe ndërtimin e shumë fushave dhe sallave sportive në të gjithë vendin.