Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se pavarësisht zhvillimeve të fundit politike që kanë ndodhur, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë me zbatimin e pakos së rimëkëmbjes.
Këto komente Hoti i bëri gjatë vizitës në fshatin Krushë e Madhe të Komunës së Rahovecit, ku edhe ka vizituar kooperativën “Krusha”.
Hoti tha se ky vit ka qenë i vështirë për të gjithë prodhuesit bujqësor, por që kjo kooperativë do ta ketë mbështetjen e Qeverisë.
“Do t’iu qëndrojmë afër këtyre grave. Siç e dini ne e kemi një pako të rimëkëmbjes, në kuadër të saj një masë e veçantë për mbështetjen e grave në biznes. Pavarësisht këtyre zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur, ne do të vazhdojmë me zbatimin e saj duke i mbështetur gratë në biznes“, tha ai.
Drejtoresha e Kooperativës bujqësore “Krusha”, Fahrije Hoti tha se për shkak të pandemisë edhe ata si kompani kanë pasur vështirësitë e veta.
“Gratë e Krushës janë një shembull i mirë që me punën, vullnetin, përkushtimin ndaj familjes dhe fëmijëve të vet, ato e kanë bërë veten që ta kenë një vend të sigurt të punës dhe të vazhdojnë më punë. Sot e morëm konfirmimin edhe nga kryeministri që do ta fitojmë një projekt nga Bashkimi Evropian, ku pjesë e participimit ka qenë kooperativa, por sot është zotimi i kryeministrit që atë pjesën e kooperativës do ta financojë Qeveria e Kosovës”, tha ajo.