Marrëveshja për nxitje të investimeve me Korporatën e ShBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC) është mundësia më e mirë që ka pasur Kosova për zhvillim ekonomik që nga viti 1999. Marrëveshje kjo që për projekte iniciale arrinë shumën prej 1 miliard euro, me maturitet 25 vjet.
Kështu ka deklaruar të hënën kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, gjatë një takimi me përfaqësues të bizneseve, ku ka thënë se “vetëm qielli është kufizim për sektorin privat”, pasi sipas tij, krejt çka nevojitet është që të ketë kuptim biznesor projekti.
Financimi direkt në formë të kredive, që mund të marrin edhe qeveria edhe bizneset financiare, investimi në ekuitet të kompanive, garantimi i investimeve, sigurimi i investimit duke mbuluar humbjet që lidhen edhe me rrezikun politik, risigurimi i projektit, financimi i studimeve të ndryshme të fizibilitetit janë disa nga instrumentet që jep DFC për bizneset.
Për këtë, Hoti tha se është një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Besoj që është një mundësi e jashtëzakonshme për të financuar zhvillimin ekonomik të Kosovës në vitet që vijnë, sektorët nuk janë të kufizuar pa përjashtim[…]Për sektorin privat vetëm qielli është kufizim, çka t’iu bie ndërmend, përveçse duhet të ketë kuptim biznesor projekti. Shuma totale për këto projekte iniciale shkon në 1 miliard dollarë, me maturitet 25 vjet. Dhe, unë besoj që kjo është mundësia më e mirë që e ka pasur Kosova nga viti 99-të e këtej, për të hapur një dritare të zhvillimit ekonomik. Sigurisht që ka disa kritere për të marrë parasysh këto projekte nga DFC. E para është që projekti duhet të ndikojë në rritjen ekonomike”, bëri të ditur Hoti.
Hoti para bizneseve tha se kjo marrëveshje është e dyta për nga rëndësia për ekonominë e Kosovës. Ai theksoi se gjatë qeverisjes së tij janë munduar dhe angazhuar që t’i qëndrojnë pranë sektorit privat, duke bërë të mundshme që qarkullimi i bizneseve gjatë janarit të këtij viti të jetë më i madh sesa në janarin e vitit 2020, kur nuk ka pasur pandemi.
Kandidati i LDK-së për kryeministër bëri të ditur edhe projektet e sektorit publik që do të realizohen me marrëveshjen për nxitje të investimeve në Kosovë me DFC-në.
“Pas shpalljes së pavarësisë, besoj marrëveshja më e madhe që e ka nënshkruar Kosova është e vitit 2015 MSA, e cila sjellë financim të rregullt për sektorin publik, dhe kjo është marrëveshja tjetër më e rëndësishme që tash hap një perspektivë të jashtëzakonshme për sektorin publik dhe privat. Sa i përket sektorit publik, i kemi të qarta projektet që do të financohen, që është hekurudha Durrës – Prishtinë, që është gazsjellësi që vjen deri në Prishtinë, studimi i fizibilitetit dhe financimi i projektit në Liqenin e Ujmanit, që është segmenti i autostradës nga Duhla në Lipjan, dhe projekte tjera gjithandej nëpër Kosovë”, tha ai.
Hoti bëri të ditur se për të marrë këtë mbështetje nga DFC janë disa kritere që duhet përmbushur, e që janë ndikimi i projektit në rritjen ekonomike, inovacioni dhe gjithpërfshirja. Ai shprehu mirënjohje për bizneset për angazhimin që kanë pasur gjatë periudhës me pandeminë COVID-19, për të cilat tha se kanë arritur të mbahen në këmbë duke ruajtur punësimin dhe duke kontribuar në tejkalimin e krizës ekonomike nëpër të cilën po kalon vendi.