Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës është favoriti kryesor për t’i fituar zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, derisa theksoi se brenda këtij subjekti politik, janë disa emra që mund t’i prijnë garës.
Këto komente Hoti i bëri gjatë vizitës në fshatin Krushë e Madhe të komunës së Rahovecit, ku edhe ka vizituar kooperativën “Krusha”.
Hoti nuk e ka konfirmuar nëse do të jetë kandidat për kryeministër, duke thënë se brenda LDK-së po zhvillohen biseda për emrin e kandidatit.
“Nuk mund të them, ende jemi duke zhvilluar biseda brenda LDK-së dhe ju e dini që kemi procedura të brendshme statutore që duhet t’i respektojmë derisa t’i shterim të gjitha diskutimet. E mira është që brenda LDK-së nuk është vetëm një emër, ka disa emra, secili më i mirë se tjetri që mund t’i prijë kësaj gare”, tha ai.
Ai shtoi se nesër ose pasnesër do ta ketë një paraqitje për të treguar punën e kësaj qeverie për këto gjashtë apo shtatë muaj. Derisa ka komentuar edhe deklarimet e VV-së se në zgjedhjet e jashtëzakonshme do të marrë mbi 51% të votave.
“Punët që i kemi bërë nga qershori deri më tash, janë punë që një qeveri sikur ajo para neve për një mandat të plotë, nuk do t’i kryente të gjithë këto punë. Unë besoj që qytetarët do ta vlerësojnë këtë dhe unë jam i bindur që ne jemi favorit kryesor për t’i fituar këto zgjedhje. Tash fjalën e ka sovrani dhe sovrani e vlerëson punën dhe përkushtimin, e jo fjalët në ajër”, tha ai.