UBT News

​Haradinaj kërkon nga Qeveria Kurti miratimin e Ligjit për Paga

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kërkuar nga qeveria Kurti amendamentimin e Ligjit për Paga.

Përmes një konference për medie, Haradinaj tha se procedimi tutje i këtyre ndryshimeve në qeveri është i nevojshëm, pasi i kthehet dinjiteti mjekëve, policëve dhe gjithë zyrtarëve publikë.

“Ligji i Pagave është një ligj me të cilin është punuar mbi 10 vjet. Për me u arrit deri te ky ligj është dashur punë mjaft voluminoze. Kërkojmë prej Qeverisë që ta kthen procedurën në Qeveri, ta amendamentojë e ta kthejë në Kuvend që t’i japim përkrahje për këtë ligj”, deklaroi Haradinaj.

Mbështetje Qeverisë Kurti për këtë temë i premtoi edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, por i paraqiti disa nga kërkesat e tyre.

“Ajo që ne kërkojmë dhe sugjerojmë qeverisë është që të vazhdojë rregullimin e pagave të këtij ligji në një listë të koeficienteve të zbuluar, pra mos t’i mbyllim koeficienteve, për shkak se kjo do të ulte transparencën. E dyta, kërkojmë që në programin e tyre qeveritar, njëkohësisht planifikimit buxhetor të inkorporohet buxhetimi i këtij ligji. E treta, ato amendamente që sugjerohen me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e që janë janë relativisht të sakta, të inkorporohen në ligj dhe të vijë në Kuvend. Me këto amendamente, qeveria do të ketë mbështetjen e grupit parlamentar të AAK-së”, u shpreh ai.

Ndërsa, anëtari i kryesisë së AAK-së, Fatmir Gashi tha se miratimi i këtij projektligji nuk do të paraqiste problem në stabilitetin makro-fiskal.

“Ligji nuk kishte me pas asnjë problem në stabilitetin makro-fiskal, as në politikën fiskale dhe as në deficitin buxhetor nuk do të kishte pasur ndikim”, tha ai.

Gjykata Kushtetuese në vitin 2019 ka shfuqizuar Ligjin për Pagat, pasi sipas tyre i njëjti në tërësinë e tij nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.

Exit mobile version