Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar lidhur me vendosjen e masave të reja antiCOVID-19 të vendosura nga Qeveria e Kosovës, të cilat sipas tyre po shkaktojnë dëme në ekonominë e vendit.
Lidhur me këtë nënkryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka kërkuar nga Qeveria të zbatojë Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike i aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të fillojnë të shpërndahen 200 milionë eurot për sektorin privat të prekur nga pandemia. Në konferencën për media, Hamza i bëri thirrje Qeverisë që të sigurojë edhe vaksina të tjera.
“Kemi parë gjatë kësaj periudhe është se ka masa disekulibruara mes jetës së shëndetit të të qytetarëve dhe në anën tjetër kemi parë masat e duhura totalisht të pamjaftuara në trajtimin e gjendjes ekonomike në vend. Kërkesa jonë konsiston në atë që të zbatohet ligji. Që këto 200 milionë të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës të fillohet t’iu shpërndahet bizneseve. Është e vërtetë që sektori i gastronomisë është një prej sektorëve më të goditur por nuk është sektori i vetëm por ka edhe sektorë të tjerë. Nuk prodhon efekte negative mbyllja e gastronomisë veç për gastronomin, dhe kur don me mbyll është mirë me paralajmëru më herët sepse shumë prej ndërmarrjeve kanë ushqim e që i përdorin e të cilat mund të prishen, është kosto shtesë për këto biznese. Duhet të ketë masa të qarta, të sakta dhe të zbatohet ligji”, tha Hamza.
Sa i përket kompensimit të pagave të punëtorëve dhe qerave të sektorit të gastronomisë, Hamza tha se këto nuk janë halli i vetëm duke thënë se përtej këtyre bizneset pësojnë edhe humbje të të hyrave.
“Dëgjoj që do të merren vendime dhe do të kompensohen pagat e të punësuarve dhe do të kompensohen qeratë. Por përtej këtyre, këta kanë humbje tjera. Ka biznese në gastronomi që nuk paguajnë fare qera por ka obligime tjera, ka humbje, ka kredi, nuk ka obligim vetëm qiranë dhe pagat, ai ka fitimin e humbur. Prandaj është kërkesa jonë dhe do të jemi shumë kërkuese që të zbatohet ligji që këto 200 milionë euro të ndara të kalojnë në biznes dhe ato 30 milionë euro të ndara për kompensimin e gjithë atyre që kanë humbur vendet e punës t’i marrin paratë ata që kanë humbur vendin e punës dhe kërkojmë prej qeverisë një program të veçantë për rimëkëmbje ekonomike. Nëse shohim të dhënat dhe vlerësimeve del që Kosova është mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimore që do ta ketë rënien ekonomike më të mëdha”, tha ai.
Hamza ka theksuar edhe çështjen e furnizimit me vaksina antiCOVID-19, ku në konferencën për media tha se duhet sa më shpejt të sigurohen vaksina edhe me furnitorë të tjerë, meqë nga kjo varet edhe ekonomia e vendit.
“Jemi vonë që të zbatohet ligji që është aprovuan në Kuvendin e Kosovës. Nëse mjetet janë brenda buxhetit, janë nda pse ne nuk kemi kontratë me një kompani serioze për furnizim me vaksinë. Është e vetmja gjë që mundëson që ekonomia të hapet. Vendet tjera kanë arritur që të kenë kontrata me tre—katër furnizonte kurse Kosova deri tash ka pranuar një numër simbolik të vaksinave atë si donacion, paratë brenda buxhetit të Kosovës kontrata nuk kemi, vaksina nuk kemi. Kuptojë nëse nuk ka, e kuptoj kur nuk ka para dhe nuk është lehtë me ardh deri te ato kontrata por nëse vendet e regjionet kanë ardh deri tek tre-katër furnizues”, potencoi Hamza.