Pep Guardiola thotë se shpreson që Lionel Messi të jetë i aftë për të luajtur të martën ndërsa përgatit skuadrën e tij të Manchester Cityt për t’u përballur me Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve.
Messi është në dyshim për ndeshjen e së martës pasi ai humbi ndeshjen e PSG-së ndaj Montpellierit këtë fundjavë për shkak të një lëndimi në gjurin e tij.
Sidoqoftë, ai u pa duke marrë pjesë në stërvitje të hënën, duke rritur shanset e tij që të përballet me ish-trajnerin e tij të Barcelona Pep Guardiolan.
Nëse ia del të rikuperohet, Messi do të përballet me një skuadër të menaxhuar nga Guardiola për herë të parë që nga fazat e grupeve në vitin 2016, kur ai udhëhoqi shfaqjen në “Nou Camp” me tre gola dhe një asistim në fitoren 4-0 të Barcelonës ndaj Cityt..
Duke reflektuar mbi marrëdhënien e tij me Messin, Guardiola tha: “Unë mendoj se ky lloj lojtari flet vetë në fushë, nuk kam pse të shtoj diçka tjetër”.
“Ne ishim me fat që e pamë atë gjatë këtyre 16 viteve ose sado e gjatë që të jetë karriera e tij, Messi flet vetë. Nuk duhet ta përshkruaj apo të flas për të. Karriera e tij është e jashtëzakonshme. Shpresoj se nesër ai mund të luajë për të mirën e lojës”, deklaroi ai.
Më tutje Guardiola tha se ishte i befasuar me largimin e Messit nga Barcelona.
“Ishte befasi për të gjithë, por ajo që ndodhi, ndodhi dhe tani të gjithë e pranojnë atë. Kohë më parë kjo nuk mund të imagjinohej por tani u bë realitet. Gjëja më rëndësishme tani është që ai të jetë i lumtur në PSG”, tha në fund Guardiola.
PSG dhe City përballen të martën në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.