Pas rezultateve pozitive që morën javën e kaluar në ndeshjet e para kualifikuese të Ligës së Konferencës, dy skuadrat kosovare, Dukagjini dhe Gjilani do të luajnë sot me rivalët respektiv me synimin për të kaluar në raundin tjetër.
Dukagjini mori një fitore solide me rezultat 2-1 ndaj Europës në “Fadil Vokrri”, dhe sot luan në udhëtim për ta mbrojtur këtë epërsi. Me skuadrën nga Gjibraltari, skuadra nga Klina do të ballafaqohet në stadiumin “Viktoria” me fillim nga ora 17:00.
Gjilani nga ana tjetër, e pret në stadiumin “Fadil Vokrri” skuadrën nga Luksemburgu, Niedercom me të cilin në ndeshjen e parë luajti baras 2-2. Në Prishtinë, skuadra e udhëhequr nga trajneri Klodian Duro pret përkrahjen e tifozëve në mënyrë që të kalojë në raundin tjetër të kësaj gare. Kjo ndeshje nis nga ora 20:00.
Kujtojmë se në Ligën e Konferencës nga raundi tjetër do të luajë edhe Ballkani pasi kampioni i Kosovës u eliminua nga Liga e Kampionëve pas humbjes 4-0 nga Ludogoretsi të mërkurën.