Gjashtë fshatra të Komunës së Shtimes kanë mbetur pa ujë që nga mbrëmë. Kompania Rajonale Ujësjellësit “KRU-Prishtina” kanë njoftuar se kjo për shkak të një defekti që ka ndodhur mbrëmë në pompën zhytëse 22 kë në stacionin kryesor të fshatit Rashinicë të Shtimes.
“Të nderuar konsumatorë, ju njoftojmë se gjatë natës së mbrëmshme kemi pasë një defekt në pompën zhytëse 22 kë në stacionin kryesor të fshatit Rashincë( komuna e Shtimes), i cili ka lënë pa furnizim me ujë të pijshëm fshatrat e rrafshit si: Rashincë, Davidovc, Muzeqinë, Gllavicë, Vojnovc dhe Gjurkovc”, thuhet në komunikatën e “KRU-Prishtina”.
Në komunikatën për media thuhet se ekipet e mirëmbajtjes janë duke punuar për ndërrimin e pompës në mënyrë që të rifunksionalizojë këtë sistem. Theksohet se deri në fund të ditës do të rikthehet furnizimi me ujë për këto gjashtë fshatra.
“Ekipi i mirëmbajtjes dhe operimit të rrjetit nga Njësia Operative e Ujësjellësit Shtime është duke punuar intensivisht në ndërrimin e pompës në mënyrë që të rifunksionalizohet ky sistem. Shpresojmë që deri në fund të ditës së sotme do të rikthehet furnizimi me ujë për këto gjashtë fshatra”, përfundon komunikata.