Ndeshjen e parë nën urdhrat e trajnerit të ri, Alain Giresse, Kosova do ta zhvillojë kundër Burkina Fasos në Prishtinë të enjten, sfidë kjo që ka karakter miqësor.
Në prag të këtij ballafaqimi, para mediave kanë folur trajneri Alain Giresse dhe kapiteni Amir Rrahmani. Me këtë rast, qendërmbrojtësi i Napolit theksoi se kjo ndeshje do të jetë një test i mirë para ndeshjeve të qershorit në Ligën e Kombeve.
“Kemi një ndeshje me Burkina Fason nesër dhe jemi duke u përgatitur për ta treguar atë që trajneri do dhe të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet e qershorit pasi që pas kësaj ndeshje kemi edhe ndeshjen me Zvicrën, kështu që këto dy ndeshje do të na ndihmojnë për përgatitjet në qershor”, tha Rrahmani.
Ai tutje foli edhe për përshtypjet e para për trajnerin e ri francez në krye të kombëtare së Kosovës në futboll.
“Besoj që më e rëndësishme që mund ta di është pas ndeshjes, sepse pas ndeshjes e shohim çfarë kemi bërë dhe mund ta bëjmë video analizën çfarë mund të bëjmë ndryshe dhe çfarë kërkon trajneri nga ato situata të lojës…Është një person shumë pozitiv dhe shpresoj të ketë kështu gjithmonë sepse na duhet një pozitivitet në ekip”, tha Rrahmani.
Ndërkaq trajneri Giresse bëri të ditur se në këto seancat e para stërvitore është përqendruar te stërvitjet me dhe pa top, për të parë formën e lojtarëve.
“Mbetet punë padyshim për t’u bërë më rastet kur e kemi topin, kur e kemi posedimin mirëpo edhe puna pa top pa dyshim”, tha Giresse.
Më pas ai foli edhe për formacionin për të cilin deklaroi se nuk e ka vendosur ende.
“Atëherë siç e kemi thënë më herët, këto dy lojëra do të përfshihen të gjithë lojtarët që janë në ekip dhe padyshim që ditën e nesërme do të kemi një pamje se si do të duket formacioni për ndeshjen me Burkina Fason… Padyshim ky sesion i trajnimit që do ta kemi sot, i cili është i fundit para ndeshjes së nesërme do të na jep idetë e fundit se si do të shfaqemi para Burkina Fasos”, tha Giresse.
Trajneri francez në fund shtoi se rivali i nesërm ka një stil të veçantë të lojës dhe se Kosova do të provojë që t’i kundërvihet me mënyrën e saj për t’i eliminuar të gjitha rreziqet që vijnë nga kundërshtari.