Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Alian Giresse është rikthyer për të folur para mediave në prag të dy ndeshjeve të Ligës së Kombeve kundër Irlandës së Veriut dhe Qipros.
Brenga më e madhe e trajnerit është lëndimi i dy mbrojtësve të krahut, Leart Paqarada dhe Mërgim Vojvoda, për të cilët tha se është duke menduar se si do t’i zëvendësojë në fushe, duke mos e bërë të qartë nëse do të ftojë emra të rinj.
“Është shqetësuese që në vikendin e fundit i kemi disa lojtarë të cilët janë të lënduar por ajo që ne duhet të bëjmë është t’i zëvendësojmë ata lojtarë në mënyrën më të mirë me pjesën tjetër të cilën e kemi. Me rastin e këtyre lëndimeve, po flasim gjithmonë për pjesën e mbrojtjes, meqenëse lojtarët kyç të skuadrës janë lënduar, gjithsesi ishe e nevojshme të grumbullojmë lojtarë të cilët ndoshta edhe nuk e kanë përvojën e atyre që janë startues”, tha Giresse.
Për rikthimin në skuadër të Lerat Paqaradës, Girese tha se e ka ftuar pasi ai ka luajtur shumë mirë me St Paulin dhe kjo e ka bërë që ta kontaktojë dhe ta përfshijë në listë.
“Sa i përket Leart Paqaradës, kjo nuk ishte hera e vetme që kemi diskutuar me atë. Ani pse nuk është ftuar, unë kam pasur biseda të tjera, nuk është kjo hera e vetme. Siç e dimë, herën e fundit ka luajtur në barazh me St Paulin dhe pas këtyre lojërave, pas këtyre performancave automatikisht e kam kontaktuar. Nuk ka pasur diçka problem në këtë aspekt përveç faktit që është dëshpëruese mungesa e tij për shkak të lëndimit”, theksoi trajneri francez.
Duke folur për lojtarët e rinj, Giresse tha se ata nuk po ftohen vetëm sa për ta plotësuar listën, por do ta kenë rastin për të luajtur dhe që të dëshmojnë vlerat e tyre.
“Pa dyshim lojtarët e rinj, nuk po i nënçmojmë ata, nuk janë këtu vetëm sa për të plotësuar listën e lojtarëve, kurse sa i përket inkuadrimit të tyre në lojë ose jo, besoj që kjo i lihet rrethanave, varësisht në çfarë situate gjendemi, mirëpo kjo nuk do të thotë që ata janë këtu vetëm sa për të kompletuar listën. Duhet ditur fazën në të cilën gjendemi dhe veçanërisht në pjesën internacionale nuk ka lojë miqësore”, tha më tutje Giresse.
Madje, ai bëri të ditur se nuk është e lehtë aq sa mendohet ofrimi i lojtarëve të rinjë sepse disa prej tyre edhe ua mbyllin dyert dhe se pas kësaj, ai si trajner nuk dëshiron fare të merret me ta
“Nuk e di se sa e dini mënyrën se si ne punojmë ose rrethanat në të cilat gjendemi, mirëpo nuk është gjithmonë e lehtë dhe pastaj çka mendoni ju çka bëjmë në gjatë kësaj kohe, a i ftojmë lojtarët, a i kontaktojmë, padyshim që i kontaktojmë, mirëpo mos mendoni që gjithmonë i kemi dyert e hapura ku do që shkojmë dhe na mirëpresin. Po e përmendi rastin e Edvind Kurtulus i cili thjeshtë më ka dërguar një mesazh që ‘trajner unë jam i lumtur, e kam zgjedhur Suedinë’ dhe kaq. Çfarë mund të bëjë unë pas kësaj? Dhe në momentin që këta lojtarë na mbyllin derën nuk merremi me ta. Ajo çfarë është me rëndësi për ne është të shohim se çfarë mund të bëjmë me pjesën tjetër të lojtarëve dhe jo të merremi me ata lojtarë të cilët na kanë refuzuar”, tha në fund Giresse.
Më 24 shtator Kosova luan ndaj Irlandës Veriore në udhëtim dhe pastaj e pret Qipron në “Fadil Vokrri” më 27 shtator.