Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i kanë dërguar letër Presidentit Ekzekutiv të Europa Nostra në lidhje me përfshirjen e Manastirit të Deçanit në listën e monumenteve më të rrezikuara në Evropë.
Në letrën e Gërvallës e Çekut thuhet se vendimi i Europa Nostra është i padrejtë dhe i ndikuar politikisht dhe se gjatë procesit, Europa Nostra nuk e ka vizituar Kosovën e Manastirin, dhe nuk është konsultuar me palët e interesit.
“Vendimi i Europa Nostra është i padrejtë dhe i ndikuar politikisht. Gjatë procesit, Europa Nostra nuk e ka vizituar Kosovën e Manastirin, dhe nuk është konsultuar me palët e interesit. Manastiri i Deçanit dhe çdo kishë ortodokse në Kosovë gëzojnë nivelin më të lartë të sigurisë. Me këtë letër, Ministrat ftuan organizatën Europa Nostra në Kosovë për ta parë nga afër monumentin dhe për të biseduar me banorët e zonës, klerikët e Manastirit, organizatat e shoqërisë civile, profesionistët, institucionet e sigurisë, organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, zyrtarët e shtetit dhe të tjerët. Dëmi që iu shkaktua reputacionit të Kosovës me këtë vendim të pabazuar duhet të kompensohet pa vonesë”, thuhet në komunikatën për media.
Mes tjerash në letër kërkohet bashkëpunim parimor për mbrojtjen sa më efektive të trashëgimisë kulturore.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë instanca më e lartë e mbrojtjes së aseteve të trashëgimisë kulturore në vend. Ne e mbrojmë trashëgiminë tonë. Trashëgimia jonë është universale, ajo i takon krejt njerëzimit, brezave të kaluar, të tashëm dhe të ardhshëm. Në këtë frymë, ju ftojmë për bashkëpunim parimor me synim mbrojtjen sa më efektive të trashëgimisë kulturore. Jemi kundër instrumentalizimit të trashëgimisë kulturore për përfitimet politike të njërit shtet apo tjetrit. Vizita e delegacionit tuaj në Kosovë propozojmë të realizohet sa më shpejtë. Dëmin që ia keni shkaktuar reputacionit të Kosovës me vendimin tuaj të padrejtë dhe të pabazuar, duhet ta kompensoni pa vonesë. Jemi të prirur të besojmë që rezultati i vizitës dhe vlerësimit tuaj të gjendjes do të rezultojë me rishikimin e listës tuaj duke e larguar Manastirin e Deçanit”, thuhet në letrën e tyre.