Instituti GAP të martën ka publikuar raportin mbi mungesën e qasjes sektoriale në programin për rimëkëmbjen ekonomike.
Raporti argumenton se si pandemia COVID-19 ka goditur në mënyrë jo-proporcionale industri të ndryshme të ekonomisë në Kosovë, dhe meqë vendimet e Qeverisë së Kosovës për kufizim të aktivitetit biznesor dhe lëvizjes së qytetarëve të cilat ishin marrë për të parandaluar përhapjen e virusit nuk janë të njëjta për secilën industri, rrjedhimisht edhe efektet ekonomike dallojnë.
“Duke u bazuar në të dhënat më të fundit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), raporti tregon se aktivitetet ekonomike me rënien më të lartë të deklarimit të qarkullimit janë industria e arteve, argëtimit dhe rekreacionit (79%), patundshmëria (44%), transporti dhe magazinimi (43%) dhe akomodimi dhe shërbimi ushqimor (37%). Përkundër kësaj, ndihmesat e Qeverisë së Kosovës kanë qenë kryesisht uniforme në të gjitha industritë ekonomike. Kjo qasje rrezikon që rimëkëmbja të vështirësohet te industritë e rëndësishme dhe strategjike të vendit”, thuhet në komunikatën për media të GAP.
Ndërkohë që GAP i ka rekomanduar Qeverisë që të ketë parasysh industritë që kanë rënie më të lartë dhe t’i targetojë ato me fonde të cilat janë proporcionale me dëmin që kanë pësuar, sikurse me politika që ndikojnë veçanërisht në rimëkëmbjen e tyre.