UBT News

​Forumi i dytë i solareve, Rizvanolli: Dekarbonizimi përbën rrugën e re energjetike të Kosovës

Sot ka nisur Forumi i dytë i Solareve në Kosovë, i cili synon promovimin e investimeve në energji të ripërtëritshme. Në këtë forum të organizuar nga Ministria e Ekonomisë̈ në bashkëpunim me USAID-in u tha se energjia solare fuqizon sigurinë energjetike dhe krijon vende të reja të punës.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh se po punojnë në krijimin e një politike të re që synon dekarbonizimin dhe ofrimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji për të gjithë qytetarët. Derisa shtoi se po planifikojnë që Kosova brenda 10 vitesh të prodhojë 1400 MGW energji të rinovueshme.

Për të ndërtuar një të ardhme energjetike më të ndritur dhe më të qëndrueshme, ne po punojmë shumë për të vendosur themelet e një politike të re dhe korniza rregulluese që kanë fokus dekarbonizimin dhe ofrimin e furnizimit të qëndrueshëm e të përballueshëm me energji për të gjithë qytetarët. Këtë vit kemi iniciuar përgatitjet për një strategji të re energjetike. Kjo strategji fokusohet në një depozitim agresiv të kapaciteteve të rinovueshme, masat e eficiencës së energjisë dhe bashkëpunimin rajonal për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike. Me fjalë të tjera, dekarbonizimi përbën rrugën e re energjetike të Kosovës. Brenda dhjetë viteve, ne planifikojmë të prodhojmë 1400 Mgw kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme. Kjo do të sigurojë që një e treta e energjisë elektrike që konsumojmë të prodhohet nga energjia e pastër dhe ajo e emetimeve të gazeve serrë të ulet me 25 përqind”, tha Rizvanolli.

Ndërsa specialisti i menaxhimit të projekteve të energjisë në USAID, Edmond Shyti tha se avancimet teknologjike e kanë bërë më konkurruese energjinë solare.

Shyti tha se investimet në energji solare krijojnë vende të reja të punës dhe fuqizon sigurinë energjetike.

Avancimet teknologjike vazhdojnë të ulin çmimet e energjisë së ripërtëritshme duke e bërë energjinë solare çdo ditë e më konkurruese. Energjia solare me kosto të ulët ka potencial ta zhvilloj ekonominë të fuqizoj sigurinë energjetike të zbus ndikimet negative të ndryshimeve klimatike dhe të krijoj vende të reja… Zhvillimi i gjeneratorëve të vegjël solar në veçanti mund të ketë ndikim enormë mund të shtoj mundësi për investime kapitale dhe të ofroj burim me kosto të ultë të energjisë elektrike si për konsumatorë ashtu edhe për biznese. Po ashtu, çdo ditë mund të luaj rol të rëndësishëm në sigurimin e furnizimit afatgjatë e të qëndrueshëm me energji në Kosovës. Të qenit konsumator solar që prodhon dhe konsumon energji elektrike jo vetëm se ulë koston e të bërit biznes apo të banimit, por edhe ulë kërkesën e përgjithshme për energji në vend. Me këtë, lirohet furnizimi me energji për të tjerët”, theksoi ai.

Forumi i Solareve në Kosovë 2022 do të jetë i hapur edhe ditën e premte, kurse në kuadër të tij mbahet edhe Panairi i Zhvillimeve të Solareve.

Exit mobile version